Prej ditës së premte është pjesë e skuadrës tonë dhe braziliani Emerson Brito Dos Santos duket shumë i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë. Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, ai ka folur edhe për karrierën e tij, ka folur për Palmeiras dhe stërvitjen nën drejtimin e kampionit të Botës Luis Felipe Skolari.

Po ashtu, 28 vjeçari ka folur edhe për sezonin e kaluar në Oman që ka qenë më i miri i karrierës së tij, ndërkohë që ka bërë edhe premtimin për të shënuar shumë gola edhe për Vllazninë. Ja intervista e tij e plotë:

– Emerson, si e zgjodhët Vllazninë?

– Menaxheri im ka kontaktuar me njërin nga drejtuesit e Vllaznisë, kanë diskutuar rreth meje dhe më pas, kanë arritur akordin që unë të jem pjesë e kësaj skuadre dhe ja tek jam. Drejtuesit e klubit kanë parë disa nga videot e mia të ndeshjeve të sezonit të kaluar në Oman dhe janë bindur për aftësitë e mira prandaj dhe më ofruan firmosjen e kontratës.

– Tifozët e Vllaznisë e kanë pritur mirë ardhjen tuaj. Cili është premtimi juaj për ta?

– Jam shumë i etur për të nisur këtë eksperiencë të re. Premtoj të dhuroj gjakun tim për këtë ekip dhe shpresoj shumë që tifozët të kënaqen me futbollin tim.

– Cila është forma juaj fizike dhe a do të jenë gati për të luajtur që në ndeshjen e parë të kampionatit?

– Jam mirë fizikisht dhe shpresoj shumë që të jem i gatshëm për ndeshjen e parë që luhet javën e ardhshme.

– Momentet më të bukura të karrierës tuaj besoj se janë ato tek Palmeiras?

– Po, ishin momentet më të bukura, Palmeiras është një klub i madh në Brazil. Për më tepër, pata kënaqësinë të stërvitem nga një kampion bote, Luis Felipo Scolari (Felipao).

– Sezoni më i mirë i karrierës tuaj, cili është?

– Sezoni im më i mirë është ai 2017-2018 kur kam shënuar 10 gola dhe kam dhënë 7 asiste për ekipin tim në Ligën e Omanit.

– Premtoni shumë gola edhe për Vllazninë?

– Po patjetër që premtoj gola, por dëshira ime e madhe është të shpallem kampion me Vllazninë.