Në Shkodër të gjithë sytë dhe veshët i kanë tek Vllaznia. Edhe pse ajo po kalon një situatë jo fort pozitive, sërish e gjithë vëmendja është aty.

Gazetari sportiv, Gaspër Marku, shprehet se Vllaznia është një ekip me shumë probleme, ndërsa thekson se humbja e fundit ndaj Kastriotit e ka rënduar jashtë mase situatën në skuadër.

“Të gjithë ambienti që ndoqi ndeshjen Vllaznia-Kastrioti, në tribunat e tifozëve, në tribunën e medias, në konferencën e shtypit, kishte një pamje të zymtë dhe kjo vinte nga rezultati i ndeshjes. Në fakt, ishte një moment i tillë, ku ishte një ndeshje me dy momente, mund të flitej krejt ndryshe sonte nëse do të ishte rezultati pozitiv.

Tashmë, detyrohemi të flasim krejt ndryshe. E kam fjalën tek momenti kur Vllaznia ishte në kryesim të rezultatit.

Unë po e ndiqja ndeshjen tek dhoma e transmetimit për Radio Tiranën, me kolegun tim Edmond Dibra dhe Edmondi ishte shumë entuziast, ndërkohë që Laçi po humbiste me Partizanin. Ne ishim në avantazh dhe po mendonin të gjithë që Vllaznia po shkon drejt vendit të dytë.

Po krijohen mundësitë për të kapur vendin e dytë në kampionat, por futbolli është i tillë. U përmbys rezultati.

Tashmë, fitorja e Partizanit që fillimisht u quajt si e dobishme për Vllazninë, për të frenuar Laçin tashmë konsiderohet e dëmshme, sepse fitorja e Partizanit e ka ngushtuar në një pikë diferencën me Vllazninë.

Edhe në konferencën për shtyp, unë i bëra një pyetje trajnerit Plori, pikërisht për këtë fakt, që fitorja e Partizanit dhe humbja e Vllaznisë, e ka ngushtuar diferencën dhe tashmë është Vllaznia nën presionin e Partizanit për ta kapur, sepse Laçi dhe Kukësi janë tashmë më komod, në vendin e dytë dhe të tretë. Kësisoj, përmbysen gjërat. Vllaznia mbetet me shumë probleme.

Kjo humbje e fundit e ka rënduar jashtë mase situatën në skuadër. I gjithë ekipi po dilte nga stadiumi me një pamje tepër të mërzitur.

Shumë pesimistë ishin edhe drejtuesit e Vllaznisë, ku shpesh herë i kemi parë nepër korridore. Nuk e dimë nga dolën. Nuk u panë fare.

Ekzistonte një situatë shumë pesimiste dhe vetë trajneri Plori, i tillë u shfaq në konferencën për shtyp, pra një humbje që djeg shumë. Djeg shumë, sepse hedh në erë situatën në kampionat.

Kur mundësitë në pak minuta të lojës, mund të ishin për të kapur vendin e dytë, tashmë vijnë situatat dhe mund të lëshosh edhe vendin e katërt, sepse Partizani po rritet. Përpos asaj, humbja e Vllaznisë në këtë situatë, me këtë humbje kaq pesimiste me Kastriotin dhe fitorja e Partizanit në kampionat, bën që edhe vetë Partizani të vijë në Shkodër me një moral tjetër, sepse në fakt në “Elbasan Arena” ndeshja e barabartë ishte, pavarësisht se situatat e atij golit të anulluar, i dhanë besim dhe mundësi reagimit Vllaznisë, që të mbahet tek ai gol i anulluar, që në fakt ishte me krejt të padrejtë, por tashmë gjithçka shkuar në zero.

Nëse ndeshjen e ardhshme ndaj Partizanit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, nëse Vllaznia eleminohet nga Partizanit, për ta do të jenë shumë ditë të vështira, tepër të vështira. Hidhet në erë i gjithë sezoni dhe nëse hidhet në erë gjithë sezoni, është shumë problem për të ardhmen e vitit të ardhshëm, sepse vetë të ardhurat e Vllaznisë bazohen jo pak tek Kupat e Europës.

Shpresojmë shumë. Edhe pse po flasim me pesimizëm, asgjë nuk ka përfunduar.

Ka ndeshje shumë për kampionat, por është në lojë Kupa e Shqipërisë. Nëse kalohet gjysëmfinalja për të shkuar në finale, atëherë hapet një dritë jeshile, por duke qëndruar te kjo e sotmja, nuk ka ku shkon më keq. Situata është shumë-shumë problematike”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv, Gaspër Marku.

Maringlen ZHIVANI