Pas thuajse dy ditësh nga firma e hedhur në kontratë me klubin iranian të Sepahanit të futbollistit Edon Hasani, vjen dhe reagimi i parë i njërit prej zyrtarëve të KF Vllaznia. Reagim që ka ardhur nga vetë kryebashkiakja e Shkodrës, zj.Voltana Ademi, njëkohësisht edhe presidente e klubit. Pas përfundimit të mbledhjes së rradhës të Këshillit Bashkiak, ajo është pyetur në lidhje me këtë çështje nga gazetarët dhe ajo ka dhënë një reagim të shkurtër teksa ka thënë:

“Edon Hasani ka kontratë me Klubin e Futbollit Vllaznia”. Vetëm kaq ka dashur të thotë por edhe pas insistimit të gazetarëve për të mësuar diçka më shumë në lidhje me largimin e këtij futbollisti, Ademi është përgjigjur sërish: “Hasani ka kontratë me Vllazninë. Nëse do të jetë e nevojshme, do ta ndjekim në rrugë ligjore zbatimin e kësaj kontrate”. Pikërisht duke iu referuar këtyre fjalëve, kupton qartë se drejtuesit e klubit shkodran presin që lojtari të rikthehet në stërvitje me ekipin, gjë që vështirë të ndodhë. Në rrethana të tilla, pritet të shohim cili do të jetë përfundimi i gjithë kësaj historie të pakëndshme të krijuar dy ditët e fundit.

© shkodrasport.com