Pas Novarës, kuqezinjtë nuk arrijnë të fitojnë as takimin e radhës. Në kuadër të “International Champions Cup”, Milani humbi mëngjesin e djeshëm sfidën me Bajernin e Mynihut. Disfata nuk e shqetëson edhe aq trajnerin Marko Xhampaolo, i cili në konferencë për shtyp nga Kansasi komentoi ndeshjen dhe paraqitjen e lojtarëve të tij ndaj kampionëve të Gjermanisë.
Çfarë shije ju la kjo ndeshje?
Vura re shumë impenjim dhe vëmendje nga ana e djemve, sidomos për aspektet mbi të cilat kemi punuar në këto dy javë grumbullimi. Për ne ishte ndeshja më e rëndësishme, ndërsa Bajerni ka luajtur tri miqësore niveli deri më tani. Pashë që djemtë vuajtën dhe sakrifikuan duke dhënë më të mirën e tyre.
A i patë sinjalet e duhura nga skuadra?
Mora shumë sinjale pozitive pasi të mos harrojmë se Bajerni është shumë përpara Milanit në përgatitje dhe ne në këtë takim erdhëm me disa mungesa të rëndësishme. Sidoqoftë, nuk luajtëm keq dhe u munduam të propozojmë mënyrën e lojës për të cilën punojmë në stërvitje.
Mesfushorët ishin të vëzhguarit specialë. E kaluan provimin?
Kemi shumë gjëra për të rregulluar dhe nga ndeshja me Bajernin mora disa spunto për të cilat do të na duhet punë. Skuadra ka cilësi dhe lojtarët e kanë kuptuar çfarë na mungon e për çfarë duhet të punojnë. Për të asimiluar një mënyrë loje, duhet pak kohë.
Si është gjendja e Teo Hernandezit?
Teo më pëlqeu shumë. Ka cilësi, forcë dhe më vjen shumë keq që u dëmtua. Për aq sa luajti, më la mbresa. Doktorët përjashtojnë frakturën, ndaj uroj ta kem në dispozicion sa më shpejt.
Mbrojtja i përballoi mirë sulmet rivale. Edhe Gabia luajti mirë.
Roli i qendërmbrojtësit është i komplikuar. Unë kam kërkesa të veçanta për këdo që do të aktivizoj në atë zonë. Kur gjej lojtarë kaq të disponueshëm dhe inteligjentë, gjithçka bëhet më e lehtë për mua. Sa i përket Gabias, ai luajti me vëmendje, por i duhet të punojë gjithmonë fort në mënyrë që të sigurojë më shumë minuta.
Klop u ankua. Po ju çfarë mendoni për Champions-in veror?
“International Champions Cup” na jep mundësinë të përballemi me ekipe të nivelit të lartë. Mua më intereson rritja e skuadrës sime dhe me aq sa pashë, jam i kënaqur.