Vera do të jetë e nxehtë sa u përket lëvizjeve të sulmuesve të Kombëtares. Përveç Armando Sadikut, i cili u transferua në Indi, për Brojën nuk pushojnë zërat për një largim nga Çelsi me disa ekipe që kërkojnë shërbimet e tij.

Por, nuk mbaron këtu, pasi zhvillime ka edhe për Taulant Seferin, i cili është vënë në qendër të merkatos në Ukrainë. Sulmuesi, i cili kampionatin që u mbyll shënoi 13 gola me Vorskla Poltavën, kërkohet nga një ekip edhe më i mirë dhe mësohet se për të ka një ofertë edhe më të mirë.

Skuadra e Dnipros, nënkampione e Ukrainës, është i gatshëm që të paguajë 1 milion euro për kartonin e lojtarit të Kombëtares shqiptare, shifër që kjo mbështetet te klauzola e tij e largimit që klubi i Vorsklës ka vendosur.

Seferi ka kontratë deri në vitin 2025, ndërkohë pritet të shihet se çfarë do të vendosë Vorskla për të, pasi një vit më parë, klubi ukrainas pagoi 500 mijë euro te Tirana për shërbimet e sulmuesit, i cili u rendit i dyti më i mirë si golashënues.

Gjithashtu, për 26-vjeçarin ka interes edhe nga Turqia e Kroacia, ndërsa më parë është interesuar edhe Padërborni në kategorinë e dytë në Gjermani.