Vllaznia e ka thuajse të përcaktuar formacionin për ndeshjen e sotme me Egnatian. Trajneri Tomas Brdariç nuk pritet të bëjë ndryshime nga ndeshja e fundit me Skënderbeun. Dyshimi i vetëm për të ka të bëjë me qendrën e mbrojtjes, nëse do të luajë nga minuta e parë Bajrami, apo Juriç. Në portë do të jetë i zakonshmi Qarri.
Në mbrojtje do të pozicionohen Gurishta dhe Jago në krahë, kurse në qendër Stojanoviç dhe njëri mes Bajramit dhe Juriçit, të cilët janë në balotazh mes tyre, me kosovarin disi më të avantazhuar ndaj kroatit.
Në mesfushë Krymi do të kthehet në pozicionin e tij, atë para mbrojtjes, ndërsa Qato dhe Kahrimanoviç do ta plotësojnë këtë repart. Në sulm, në mbështetje të kapitenit Balaj, do të jenë Mala në të djathtë dhe Dodaj në të majtë.