Vështrojeni me kujdes këtë hartë! Kjo është shpërndarja gjeografike e futbollit të elitës në Shqipëri. E Superiores tonë pra! Vetëm Skënderbeu në Jug, më saktë Juglindje (i dënuar me 10 vite nga UEFA). Tronditëse!
Dhe të kuptohemi drejt, po kaq alarmante do të ishte anasjelltas, pra të ishte vetëm Vllaznia në Veri! Ky vëzhgim i “Panorama Sport” nuk është bërë për t’i qarë hallin vetëm Jugut apo Veriut të Shqipërisë, sepse jemi NJË!
Përkundrazi, është për të sjellë në vëmendje se në ç’pikë kemi mbërritur… Flamurtari, Apolonia, Lushnja, Luftëtari, Bylisi, Tomori (ka ende një shans). Të gjitha jashtë Kategorisë Superiore. Pse?
SË PARI prej një politike të paprecedentë të FSHF-së, që ka këmbëngulur për një kampionat me 10 skuadra. Nuk do të shkruanim këto radhë sot nëse kjo formulë do të na kishte sjellë ndonjë zhvillim cilësor. Infrastrukturë më të mirë, klube me financa më të shëndosha, më shumë tifozë në stadiume dhe më shumë të ardhura nga talentet apo marketingu. A janë realizuar këto? Ftojmë FSHF-në të japë një përgjigje.
SË DYTI prej një neglizhence shtetërore kundrejt sportit në tërësi dhe futbollit në veçanti. Çdo vit nga paratë e taksapaguesve shqiptarë bashkitë investojnë në Shqipëri rreth 14.6 milionë euro për sportin (vëzhgim i “Panorama Sport” më 12 shkurt 2021), ku pjesa dërrmuese shkon për futbollin.
Por, kjo hartë tregon qartë se nuk jemi në rrugën e duhur se si duhet të zhvillohet sporti. Ja pra, që stadiumet e reja dhe rikonstruksioni i tyre nuk garantojnë zhvillim cilësor dhe zgjidhje afatgjata të problemeve.