Edi Reja nuk dëshiron të humbasë ndeshjen e tij të parë në drejtimin e Shqipërisë dhe për të marrë një rezultat në Islandë, duket se ka vendosur që të sakrifikojë disi lojën dhe t’i japë më shumë tipare mbrojtëse ekipit për të marrë rezultat. Luhet me rreshtimin 3-5-2 në teori, por duket më shumë një 5-3-2 për shkak të zgjedhjeve në krahë.

Sipas “SuperSport”, trajneri ka zhvilluar dje pasdite një mbledhje me lojtarët të cilëve u ka zbuluar rreshtimin që do të përdoret dhe kush do të ketë shansin të tregojë veten që nga minuta e parë në këtë duel.

Sipas emrave të zgjedhur, Aliji në të majtën dhe Hysaj në të djathtën garantojnë më pak shtytje para se sa Lenjani e Balliu, që ishin kandidatë për këto pozita, një sinjal se trajneri është fokusuar si De Biazi më parë që të mbajë rrjetën të paprekur e më pas të mendoj për sulmin. Në prapavijë kthehet edhe Veseli, i cili në momentet e fundit ka fituar vendin në dëm të Mihajt.

Në mesfushë nuk preken treshja Basha-Kaçe-Xhaka, ndërsa përpara është zgjedhur që të luhet me Balajn e Çikalleshin. Zgjedhja e sulmuesve është bërë më shumë për t’iu kundërvënë forcës fizike dhe shtatlartësisë së kundërshtarëve. Balaj e Çikalleshi kështu do të kenë një rol thelbësor në fazën mbrojtëse në goditjet standarde, për të larguar rreziqet nga zona.

Pjesa e dytë dhe fundi i ndeshjes do të jetë për futbollistët e shpejtë, për të tentuar që në fund me shpërthimet e tyre të kërkohet fitorja në këtë sfidë. /vipsport/