Ka ardhur me bujë të madhe te Vllaznia, për vetë CV-në e tij, por duket se brenda pak kohësh situata nuk flet në favorin e tij. E kemi fjalën për mbrojtësin senegalez Fallou Diagne.

Në dy ndeshjet e para të kampionatit ka luajtur vetëm pak minuta në fund të ndeshjeve me Laçin e Teutën, ndërkohë që sot në sfidën e kupës ndaj Labërisë e ka nisur si titullar.

Megjithatë paraqitja e tij ka lënë shumë për të dëshiruar. Gjendja e tij fizike duket qartë se ende nuk është ajo më e mira dhe këtë e tregon më së miri edhe rasti i pësimit të golit të dytë në ndeshjen e sotme.

Por duket se vetë lojtari kërkon ta marrë me sportivitet lumin e kritikave që mund të ketë së fundi ndaj tij dhe përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, ai shkruan: “Performanca individuale nuk është më e rëndësishmja. Ne fitojmë dhe humbasim si ekip”.

Kjo në fakt është mëse e drejtë, por Vllaznia po ashtu ka nevojë për klasin dhe talentin e tij sepse për këtë arsye është marrë./SHKODRA-SPORT.COM/