Merkato e janarit nuk është hapur zyrtarisht por ekipet kanë menduar për përforcimet e radhës. Një nga emrat e përfolur këtë sezon është Realdo Fili, me sulmuesin e Luftëtarit që nuk ka kaluar një sezon të mirë.
Ulje-ngritjet në raportet me ish trajnerin Marantas, e kanë kushtëzuar në minutazh. Dhjetë ndeshjet e para të këtij sezoni do e shihnin fierakun si titullar absolut, ndërsa pjesa vijuese do e gjente në stol ose me pak minuta.
Largimi i trajnerit Marantas nga Luftëtari ka sjellë një situatë më të mirë për fierakun, me sulmuesin që është aktivizuar plot 80 minuta në dy ndeshjet e fundit të këtij viti.
23 vjeçari është vendosur në qendër të vëmendjes shkodrane, me trajnerin Mirsad Jonuz që e kërkon me ngulm te Vllaznia. Drejtuesit veriorë kanë në plan të afrojnë katër përforcime në janar, me Filin që është njëri prej tyre. Në pritje të lëvizjes së mundshme, Realdo Fili shfaq “muskujt” nga palestra./newsport/