Nga Maringlen ZHIVANI
Debutim spektakolar për sulmuesin anësor Franco Correa, i cili në ndeshjen e parë me fanellën e Vllaznisë B arriti të realizojë tre gola në vetëm 45-minuta lojë, duke qenë protagonist absolut në suksesin e thellë 7-0 në transfertë ndaj Klosit.
21-vjeçari uruguaian tregoi klasin dhe instiktin e tij të golit që në minutat e para të takimit, duke shfrytëzuar me efikasitet rastet që iu paraqitën. Me lëvizje inteligjente në hapësira, shpejtësi dhe finalizime të sakta para portës, Correa u kthye menjëherë në pikë referimi për ofensivën kuqeblu.
Më parë, futbollisti ka qenë pjesë e kombëtares së Uruguajit U15 dhe U17, një fakt që tregon për formimin e tij në nivele të larta dhe përvojën që sjell në kampin shkodran. Pritshmëritë janë të mëdha që ai të vazhdojë me këtë ritëm dhe të japë kontribut të rëndësishëm edhe në ecurinë e ekipit të parë në të ardhmen.
Me këtë fitore të thellë, Vllaznia B konfirmon formën e mirë dhe synimet ambicioze për sezonin e ri, ndërsa debutimi i Correas është një lajm shumë pozitiv për të gjithë ambientin kuqeblu, që e pret me interes për të parë nga afër uruguaianin.(www.shkodrasport.com)