Pas suksesit një javë më parë në Stamboll, atleti shkodran Franko Burraj ka përsëritur sërish suksesin edhe në Mitingun Ndërkombëtar të Beogradit të zhvilluar ditën e djeshme. Ndonëse këtë herë nuk ka arritur të thyejë rekordin e 400 metrave në salla të mbyllura, sërish paraqitja e 21 vjeçarit ka qenë shumë e mirë.

Ai është kthyer pasditen e sotme në Shkodër dhe në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” ka shprehur edhe emocionet dhe kënaqësinë e këtij suksesi. “Padiskutim që jam i lumtur për këtë arritje. Gara shkoi mirë dhe rezultati ishte i mirë besoj, pavarësisht se këtë herë nuk arrita ta thyej rekordin, por kuptohet që jo në çdo garë do thyhen rekordet. Megjithatë në fakt prisja diçka më shumë nga vetja në këtë garë sepse kam qenë shumë mirë fizikisht”- është shprehur ai.

Burraj zuri vendin e parë në këtë Miting Ndërkombëtar me kohën 47″20 duke lënë në vend të dytë serbin Boshko Kijanoviç me kohën 47″32 ndërsa në vend të tretë është renditur turku Oguz Akgul me kohën 47″62 dhe pas tij pastaj kanë ardhur një atlet çek, një maqedonas, një turk, një kroat e kështu me rradhë.

I pyetur ndërkohë se cilat janë pretendimet për garat e ardhshme, fituesi i medaljes së artë në Beograd shprehet: “Tani po të përqendrohem maksimalisht tek stërvitja ndërkohë që janë disa gara për t’u zhvilluar në Shqipëri ku do të synoj të ruaj formën time.

Sa i takon garave të ardhshme ndërkombëtare, do të fokusohem tek Kampionati Ballkanik që do të zhvillohet në muajin qershor ku do të synoj edhe kapjen e normës së kualifikimit për në Olimpiadën e Tokios që zhvillohet në muajin korrik të këtij viti. Ndërkohë në muajin gusht do të zhvillohet Kampionati Europian në Francë, ku do të pretendoj të kualifikohem për në finale”.
© shkodrasport.com