Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar emrat e skuadrave që janë licencuar për Kupat e Europës. Ashtu siç ishte përfolur për ditë me radhë, Komisioni i Licencimit pranë FSHF-së ka dhënë “dritën jeshile” vetëm për 5 ekipe të elitës.
Partizani, Kukësi, Teuta, Laçi dhe Skënderbeu janë klubet që janë licencuar për të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Ndërkohë sipas këtij Komisioni nuk plotësojnë kriteret, Tirana dhe Flamurtari apo edhe Luftëtari. Kësisoj vetëm 5 skuadrat e sipërpërmendura do të mund të marrin pjesë në Champions dhe Europa League.
Duke ditur se Kukësi fitoi Kupën e Shqipërisë, i ka dhënë mundësi Skënderbeut që të luajë por këta të fundit janë dënuar nga UEFA dhe është ende në fuqi dënimi 10-vjeçar. Ky dënim, bën Laçin të buzëqeshë duke qenë se renditet në vendin e gjashtë në klasifikim duke siguruar edhe njëherë tjetër pjesëmarrje në Europë. Ashtu siç pritej, jashtë ka mbetur Flamurtari që megjithëse e mbylli sezonin në vendin e katërt nuk mund të luajë në Europë.
Në Ligën e Kampionëve, këtë sezon luan Partizani ndërkohë që 3 skuadrat e tjera do të luajnë në Ligën e Europës ku synohet që të kalohen ture për të rregulluar jo vetëm buxhetin e skuadrave, por edhe koeficientin dhe për të mos rrezikuar që të ulet numri i skuadrave pjesëmarrëse.
Vetëm pak ditë më parë, FSHF njoftoi se klubeve u është treguar që në fillim të majit se cilat skuadra luajnë në Europë duke bërë që shumë ekipe të mos kenë më asnjë objektiv pasi Europën e kishin siguruar pavarësisht renditjes ku ndodheshin. Kështu, nga muaji prill e deri në javën e fundit është luajtur vetëm për titullin kampion dhe rënien nga Kategoria.