Opinion nga ERVIN BAKU
Dje në datën e Lindjes së Krishtit, Federata Shqiptare e Futbollit bëri dhuratën më të shëmtuar të mundshme. Një logo krejt të re, pa shqiponjën dykrenare – simbolin e patjetërsueshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Pa pyetur dhe pa përfillur fare komunitetin e futbollit, brenda dhe jashtë vendit, pa asnjë lloj konsultimi, duke injoruar të gjithë aktorët dhe tifozët kuqezi, Duka dhe servilët e tij nxjerrin një logo të re. Logon e turpit. Turp e faqja e zezë për Dukën dhe FSHF-në. Si mund të eliminoni ju mor zotërinj shqiponjën tonë dykrenare? Si mund të eliminoni ju mor zotërinj identitetin tonë kombëtar? Si mund të talleni ju në këtë farë feje me brezat paraardhës? Ekipet tona kombëtare përfaqësojnë Shqipërinë dhe jo Federatën. Kjo ishte “qershia mbi tortë” e kësaj Federate. Sepse në fakt gjithçka shkon mirë, bukur dhe vaj në futbollin shqiptar. Stadiumet janë plot çdo javë. Kampionati shqiptar është më i pastri dhe më i bukuri në botë. Në Shqipëri nuk shiten dhe nuk tolerohen ndeshjet. Në Shqipëri luhet futbolli më i pastër në Evropë dhe në botë. Në Shqipëri nuk ka dhunë në stadiume, as në tribunat e tyre dhe as në fushat e tyre. Arbitrat shqiptarë punojnë në kushte të mrekullueshme. Gjykojnë pa presion dhe nuk guxon t’i prekë kush me dorë. Të gjitha stadiumet shqiptare janë të liçensuara nga UEFA dhe FIFA. Shqipëria nuk ka dalë kurrë në vend të fundit apo parafundit të fushatave eliminatore. Përkundrazi, e udhëhequr nga Federata Shqiptare e Futbollit, dhe Duka e trajnerët e tij të huaj të suksesshëm, Shqipëria merr pjesë rrefullisht në çdo Evropian dhe Botëror. Pra pasi kanë bërë 1001 të mira për futbollin tonë, Duka dhe servilët e tij të paaftë nuk kishin më ç’të bënin përveç se të vulosnin turpin e punës së tyre. Sepse në fakt kjo ishte e meta dhe problemi më i madh i futbollit shqiptar, logoja. Nxjerrja e kësaj logoje të re është tallja, fyerja dhe përbuzja më e madhe që i bëhet brezave të mëparshëm. Përfaqësuesit e atyre brezave luanin burrërisht dhe pastërtisht. Ata nuk shisnin ndeshje. Ata nuk e meritojnë këtë logo paçavure. Shqipëria nuk e meriton këtë logo paçavure. Ka ardhur koha për një erë të re në futbollin tonë. Një erë pa Dukë dhe suitën e tij servile dhe totalisht të paaftë.