“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për të ndryshuar kalendarin, në mënyrë që çdo aktivitet futbollistik të mbyllet më 23 maj, pikërisht dy ditë para finales së Ligës së Konferencës, që do të zhvillohet në Tiranë”.
Është ky komunikimi i fundit që institucioni i futbollit shqiptar ka bërë me të gjitha klubet e futbollit në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë.
“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në FSHF se sot pritet të merret një vendim përfundimtar për të ribërë kalendarin e Superiores, aty ku ka dhe më shumë probleme.
Nga ana tjetër, Kategoria e Parë mbyllet pas një jave dhe e Dyta ul siparin këtë të shtunë. Më pas për këto dy kategori mbeten vetëm ndeshjet “play off” dhe “play out” për t’u zhvilluar, që do të përcaktojnë edhe verdiktet përfundimtare për ngjitjen dhe zbritjen.
Gjithsesi, FSHF kërkon me çdo kusht që deri dy ditë para finales historike që dot ë zhvillohet në “Air Albania”, çdo kampionat të jetë i mbyllur.
Plani i sektorit të garave është që ndeshjet shtesë për çdo kategori të zhvillohen në ditët postfinales së Ligës së Konferencës, ndërsa sa i përket Kupës së Shqipërisë (finalja Laçi-Vllaznia), mësohet se nuk do të ketë asnjë ndryshim, teksa do të luhet më 31 maj.
Duke qenë se organizimi për kompeticionin e UEFA-s duhet të jetë në nivelin më të lartë, e gjithë administrata e FSHFsë, përshi edhe zyrtarë të jashtë të saj, është e angazhuar totalisht me përgatitjet për finalen e 25 majit.
Prandaj dhe në këtë situatë, institucioni i futbollit ka kërkuar që klubet ta mirëkuptojnë dhe të miratojnë ndryshimin në kalendar. Fillimisht ishte programuar data 26 maj si mbyllja e Superiores, por tashmë kërkohet që gjithçka të marrë fund më 23 maj.