Opinion nga Xhevdet ZEKAJ
Për kampionatin që sapo u mbyll ka shumë për të folur, por sot, falë klasifikimit të tij, mund të trajtojmë problemin e Tiranës dhe Vllaznisë, dy skuadra që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar ndër vite. T’i përqasim ato në “dy kohë”, nën drejtimin e Refik Halilit dhe Valter Fushajt, respektivisht, dhe tashmë në epokën bashkiake…. “Tirona” e Refik Halilit, por edhe më parë, ishte e mbushur me suksese dhe trofe vit pas viti, edicion mbas edicioni. Ajo ishte prezente në cilësi dhe garë, ishte favoritja numër një për titull dhe kupë pa nisur ende gara, ishte “Tirona” plot personalitet, një “zonjë e vjetër”. Po ashtu, Vllaznia e Valter Fushajt që, edhe përse me ndonjë problem, nuk binte poshtë trikatër vendeve të para. Madje, vitet e fundit qe pretendente si asnjëherë tjetër, fituese e kupës, në mjaft raste e kualifikuar për në ballafaqimet evropiane, e vetmja që guxonte të kalonte edhe ndonjë tur. Natyrisht, të dy ekipet në fjalë kanë pasur mundësi për më tepër, sepse mbështetja financiare nuk u ka munguar në kohën presidenciale, por strukturat e dyfishta, edhe shtet, edhe privat, vizioni i cekët i strategjisë së sportit që në dikasterin sipëror, ministria përkatëse, për të vijuar më tej, i kushtëzonin pritshmëritë. Madje, funksionimi i klubeve tona me dy koka, edhe përfaqësues i bashkisë, edhe president, shpesh binte në kundërshti me vetë normat e licencimit apo rregulloret e përkatëse të UEFA-s dhe FIFA-s. Epoka e Refik Halilit te Tirona ka qenë edhe më e arrirë në organizim, në një asamble funksionale, në statut, investime, presidencë kompetitive por, mbi të gjitha, pa asnjë problem financiar, edhe kur të gjithë, që nga FSHF-ja e deri te gjyqtari më i thjeshtë i kishte kundra. Duke qenë vetë në krye të punëve, pavarësisht shkopinjve nën rrota që kishte në shumicën e kohës nga sekretari i klubit apo hallka të tjera burokratike të këtij lloji, Refiku i solli Tironës jo pak, por 6 trofe i vetëm. Nën drejtimin e të ashtuquajturit bord, si pronë e bashkisë, skuadra bardheblu dështoi që në herën e parë në luftën për titull. Edhe pse pati në krye të profesionist të vërtetë, si spanjollin Rubio, edhe ai produkt i zotit Halili. Epoka “Fushaj” do të mbahet mend për krijimin e fidanishtes (akademisë) së Vllaznisë, prej nga dolën shumë emra të rinjsh të talentuar, që u bënë pjesë e rëndësishme e tregut të futbollit shqiptar, brenda për brenda, por edhe në transferimet fitimprurëse për jashtë. Shkurt, nëse bën një bilanc të përgjithshëm, Vllaznia e Fushajt ishte e suksesshme! Po sivjet, nën udhëheqjen e bashkive apo të të emëruarve të kryebashkiakëve, çfarë imazhi e rezultati patën këto dy skuadra? Tirana dhe Vllaznia kanë pasur ndoshta qasjen publike më të shëmtuar, në formë dhe përmbajtje. Të lodhura në menaxhim, pa personalitetin e emrit që kanë karshi skuadrash me presidentë, si fjala vjen Skënderbeu i Korçës, me probleme sa financiare, po aq imazhi. Me largime futbollistësh cilësorë dhe me polemika të pafundme. Të dyja skuadrat në fjalë pa asnjë trofe, me bardheblutë finalistë të Kupës së Shqipërisë, por me kuqeblutë në pikë të hallit, që mezi i shpëtuan mbijetesës. Ky kampionat ka qenë më i kontestuari, sidomos në Shkodër, me finale ato akuza dhe kundërakuza mes një emri të spikatur si Rudi Vata dhe troshanëve me shokë, në duart e të cilëve ra Vllaznia “made in Bashkia”. Si kurrë më parë, tifozët objektivë shkodranë i kanë dënuar tolerimet, paaftësinë, mediokritetin e stafit drejtues. Staf, i cili përbëhej nga emra të nderuar R.Rragami, R.Vata, Grima, Sinani etj., por në një bashkëjetesë menaxheriale e drejtimi me personat, bëri veçse një “Vllazni të dalun boje”. Ndaj, edhe lind pyetja: skuadrat tona të futbollit në duart e bashkive, është një zgjidhje shpëtimtare e prosperitive, apo e kundërta, një kthim mbrapa në cilësi e rezultate? E kemi fjalën për ato skuadra që kanë mundësi e shanse presidenciale, si në të shkuarën e afërt Tirona e Vllaznia, jo për të tjerat që u kanë mbetur në derë pushteteve vendore. Nuk duhet shumë lodhje për të kuptuar se ky lloj drejtimi nuk mund ta shpëtojë futbollin. Kurrsesi nuk mundet që një futboll taksapaguesish të sigurojë konkurrencën, cilësinë, trofetë. Skuadrat e veshura me kostum partiak, i majtë apo i djathtë qoftë, janë shumë mbrapa të tjerave me presidentë në krye. Shihni Skënderbeun ku dergjej në kohën e varësisë nga bashkia dhe ku është tani, nën drejtimin e presidentit Zeqo. Ndoshta është shpejt për balance përfundimtare e të plota gjithëpërfshirëse në këtë drejtim, por sezoni futbollistik 2011-2012 i Tiranës dhe Vllaznisë tregoi më së miri se futbolli i presidentëve është më i suksesshëm dhe më me perspektivë se ai i punonjësve bashkiakë. Ky i fundit është i destinuar të dështojë…