Futbollistët e Akademisë Vllaznia “kanë probleme” me gjuajtjet e 11-metërshave. Ndoshta rastisën të jenë edhe të pafat sepsee gjuajtjet nga pika e bardhë në shumë raste janë të tilla, megjithatë dy ekipe sot u eliminuan nga Kupa e Shqipërisë, pikërisht për shkak të humbjeve pas gjuajtjes së 11-metërshave.
Të eliminuarit e parë kanë qenë futbollistët e Vllaznia U19 që drejtohen nga trajneri Edmond Doçi. Ata janë përballur me Dinamon në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë dhe koha e rregullt e kësaj ndeshje është mbyllur në shifrat e barabarta 0-0. Për të përcaktuar skuadrën fituese që do të shkonte më tej në këtë kompeticion, është dashur gjuajtja nga pika e bardhë.
Kapiteni Arsid Gerbeti është treguar i saktë duke shënuar, por më pas Paul Akolgo, Amer Kthupi dhe Arkan Nikaj do t’i humbisnin gjuajtjet e tyre dhe kësisoj Dinamo U19 fitoi 3-1 dukee siguruar kualifikimin për më tej, ndërkohë që kuqeblutë e mbyllin këtu rrugëtimin e tyre në këtë kompeticion.
Pas kësaj ndeshje në fushë kanë zbritur ekipet U17 të Vllaznisë dhe Teutës. Në pjesën e parë durrsakët fituan një 11-metërsh por gjuajtja e Mansakut është pritur nga portieri shkodran Kevin Bajrakurtaj. Në fillimin e pjesës së dytë Teuta do të kalonte në avantazh me anë të Gjuzit, por Daniel Marku do të barazonte në ’79. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1 dhe kësisoj dy ekipet iu drejtuar pikës së bardhë për gjuajtjet e 11-metërshave.
Për Vllazninë do të ishin të suksesshëm Sokol Uldedaj, Simon Uldedaj, Daniel Marku dhe Alfredo Duka. Ndërkohë Armando Vuksani do ta humbiste të pestën dhe kësisoj Teuta U17 fitoi 5-4 duke u kualifikuar për më tej.


