Tre ekipet Kombëtare të Shqipërisë kanë në përbërje 9 futbollistë  shkodranë që luajnë me Vllazninë por edhe me skuadra të tjera brenda e  jashtë vendit. Ditët e fundit në listën zyrtare në Kombëtares U-17 është  përzgjedhur i vetmi nga Shkodra e zona e veriut 15 vjeçari Arlind  Kalaja për eleminatoret e “Euro 2012” që kjo skuadër do të zhvillojë.  Pas grumbullimit dyjavor në Durrës 17 vjeçarët do të nisen ditën e marte  drejt Estonisë dhe më pas me 13 tetor do të luajnë sfidën e parë me  Sllovakinë. Në grup janë Shqipëria, Gjermania, Estonia dhe Sllovakia.  Shkodrani Kalaja është pjesë e ekipit U-17 të Vllaznisë dhe shihet si  një futbollist me të ardhme ndaj është përzgjedhur edhe nga trajneri  Mustedanagiç. Ndryshe nga U-17, tek 21 vjeçarët edhe kësaj here janë  grumbulluar 5 futbollistë shkodran për takimet e radhës. Ndër të tjerë  trajneri Artan Bushati ka përzgjedhur Armando Vajushin që luan me  Vllazninë, Antonio Markun e Dinamos, Alis Bocin e Luftëtarit, Erjon  Vucaj që është pjesë e Laçit dhe Bekim Balën e Tiranës. Të pesë këta  lojtarë janë pjesë e rëndësishme e ekipit Shpresa dhe gjithnjë janë  aktivizuar rregullisht nga trajneri Bushati në takimet zyrtare të  eleminatore të europianit. Ndërkohë që edhe Kombëtarja e madhe nuk  mbetet pa futbollistë nga Shkodra. Aty janë të grumbulluar 3 lojtarë.  Bëhet fjalë për dy të zakonshmit Admir Teli që luan në Azerbajxhan dhe  Hamdi Salihin që aktivizohet me Rapidin e Vienës në Austri. Vijojnë të  jenë në formë të mirë sportive dhe të kenë preferencën e trajnerit Kuzhe  edhe për një sfidën e luksit që zhvillohet të premten me Francën. Risia  tek kombëtarja e Kuzhe është grumbullimi i shkodranit Arsen Sykaj për  takimet e radhës. Mbrojtësi që ka fituar bindshëm vendin e titullarit  tek Vllaznia duket se ka fituar edhe besimin e kroatit Kuzhe që i ka  bërë një vend mes më të mirëve të Shqipërisë. Në këtë mënyre Shkodra  vijon të ruajë traditën e saj dhe të jetë një pikë e rëndësishme për  furnizimin me futbollistë cilësor në ekipet Kombëtare.  
Futbollistët shkodran të grumbulluar me ekipet Kombëtare:
 U-17
 Arlind Kalaja (Vllaznia)
U-19
Bekim Demaj (Vllaznia)
Amir Tafa (Vllaznia)
Sindrit Guri (Vllaznia)
U-21
 Armando Vajushi (Vllaznia) 
 Antonio Marku (Dinamo) 
 Alis Boci (Luftetari) 
 Erjon Vucaj (Laçi) 
 Bekim Bala (Tirana)
 Kombëtarja e madhe:
 Arsen Sykaj (Vllaznia) 
 Admir Teli (Baku – Azerbajxhan)
 Hamdi Salihi (Rapid Vienë – Austri)







