Ndryshon renditja e futbollistëve shqiptarë në bazë të paraqitjes së tyre sipas statistikave të grumbulluara nga UEFA. Kjo e fundit, prej një viti ka filluar të vlerësojë paraqitjet me ekipin kombëtar të futbollistëve në kualifikueset europiane dhe harton klasifikimin që tregon se kush janë lojtarët më në formë, duke marrë për bazë parametra të ndryshëm në rolin që mbulojnë në fushë.
Për Shqipërinë, pas ndeshjes me Francën, ka ndryshim në majën e klasifikimit brenda skuadrës, pasi futbollisti më i mirë mes atyre 34 që janë regjistruar në aktivitetet e UEFA-s brenda dy viteve të fundit, nuk është më Taulant Xhaka. Tashmë mesfushori ka zbritur në vendin e dytë me 389 pikë duke qenë njëkohësisht i 275-ti në Europë, për t’i lënë majën e podiumit Ardian Ismajlit.
Ky i fundit, i kthyer në titullar të rregullt me Shqipërinë, tani regjistron 422 pikë dhe është i 240-ti në kontinent. Në ndeshjen e fundit, statistikat e tij flasin për 5 spastrime topi dhe 5 topa të rikuperuar ndaj Francës, që kanë ndihmuar të ngjitet në klasifikimin brenda ekipit.
Podiumi plotësohet nga Veseli, spektator në këtë sfidë, e më pas vijnë me radhë Berisha, Gjimshiti e Hysaj. Mes 10 më të mirëve, në këtë renditje të UEFA-s, është edhe Basha që është tërhequr tashmë nga radhët e përfaqësueses apo edhe Binaku i cili prej kohësh nuk ishte pjesë e saj. /vipsport/