Pak ditë më parë udhëtoi nga Shkodra drejt Italisë me dëshirën e madhe të tregonte vlerat e tij dhe të bindte specialistët e vendit fqinj në mënyrë që të kishte një të ardhme të mirë atje.

Dhe për sulmuesin shkodran Aldo Nika duket së ka lajme të mira. Ai është provuar fillimisht në një Akademi jo shumë të njohur por aty ai ka bërë diferencën me futbollistët aktualë të saj dhe dallohej qartë se kishte nevojë për t’iu bashkuar një Akademie më cilësore.

Presidenti i shoqatës “Djelmnia shkodrane” Benardin Kulla e cila ka në pronësi kartonin e këtij lojtari, hyri menjëherë në bisedime me drejtuesit e Akademisë së Sassuolos dhe ata pranuan menjëherë ta kishin për disa ditë në stërvitje.

Çdo gjë duket se ka shkuar mirë. Nika ka kryer testet mjekësore dhe po vijon rregullisht stërvitjen me ekipin U15 të kësaj Akademie. Specialistët dhe trajnerët e Sassuolos kanë evidentuar disa elementë shumë të mirë tek ky lojtar dhe po ashtu i kanë bërë të qartë se në disa elementë të tjerë ka vend për përmirësim megjithatë mosha e tij e re, të lejon që ai të përmirësohet dhe të bëhet gati për të luajtur në futbollin italian.

Presidenti Kulla pak ditë më parë në një prononcim për “Shkodra Sport” u shpreh se pikësynimi i “Djelmnia shkodrane” është pikërisht ky: Dhënia e mundësisë lojtarëve më të talentuar të “Djelmnisë” për t#u provuar në futbollin e vendit fqinj dhe pse jo, për të firmosur atje. Dhe Aldo Nika duket shumë pranë firmës në kontratë.
© shkodrasport.com