Vllaznia e pafat. Ndonëse udhëhiqte ndaj Partizanit deri në minutën e 65-të, dy gola të të kuqve, i kanë shkaktuar asaj humbjen në këtë takim. Ndonëse, goli i dytë ka ardhur përmes një 11-metërshi shumë të kontestuar por arbitri Jorgji, u tregua i gatshëm të tregonte gishtin nga pika e bardhë. Por jo vetëm kaq. Ky arbitër është kontestuar edhe gjatë gjithë ndeshjes për vendimet e tij në favor të të kuqve.
Përfundimisht 2-1 për vendasit që vazhdojnë të ndjekin Kukësin në garën për vendin e parë ndërkohë që gjërat për shkodranët po vijnë duke u vështirësuar gjithnjë e më shumë tani. Ndeshja ka nisur e qetë, ku spektaklin më shumë e kanë dhënë tifozët e Partizanit, të shumtë në ndeshjen e sotme, por nuk kanë munguar edhe ata të ardhur nga Shkodra. Edhe pse të kuqtë kanë qenë më këmbëngulës, kanë munguar rastet e pastra para portës. Ndërsa nga ana tjetër, Vllaznia ka luajtur kujdesshëm në mbrojtje, duke pritur episodet që mund t’i jepte ndeshja. Pikërisht nga një aksion pa shumë pretendime në të 33-ën, Vrapi lëshon një top të gjatë, me kokë Tafili ul bukur për Bakajn, i cili menjëherë godet dhe pas një devijimi, topi përfundon në rrjetë, duke kapur në kundërkohë portierin Hoxha. Partizani kërkon të reagojë, por ka paqartësi në fazën konkluduese. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e Vllaznisë, 0-1.Partizani nis 45 minutat e dyta me dy zëvendësime, largohen Cetkoviç dhe Kalari, për t’i lënë vendin Mazreakjt dhe Bardhit. Të kuqtë janë kërkues para portës së Vllaznisë, por sërish mungojnë rastet e pastra. Mazrekaj kroson 2-3 herë në zonë, por Ekuban dhe Bardhi nuk gjejnë dot kohën. Pikërisht ky i fundit, në minutën e 65-të, ka imituar atë që bëri Bakaj në pjesën e parë, godet menjëherë, topi devijohet dhe Selimaj mposhtet. 1-1 dhe Partizani merr zemër. Vllaznia më shumë mundohet të vonojë lojën sesa të gjejë golin. Me kalimin e minutave edhe Partizani bëhet konfuz. Kur u duk se ndeshja u mbyll në barazim, Bicaj pengon në zonë Ekuban dhe gjyqtari akordon 11-metërsh, të cilin e kthen në gol Batha. Fitore me frymën e fundit, por që i shërben të kuqve në luftën për titullin kampion.
Partizani – Vllaznia 2-1
Shënues: Bardhi 65′, Batha 89′(11-m) / Bakaj 35′
Partizani: Hoxha, Fejzullahi, Ibrahimi, Malota, Kalari (Bardhi 46′), Vila, Batha, Torasa (Boniface 78′), Cetkoviç (Mazrekaj 46′), Trashi, Ekuban. Trajner: Sulejman Starova
Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka (Marku 86′), Tafili, Krymi, Bardulla, Kalaja (Pepa 76′), Bakaj, Shtubina Trajner: Armando Cungu
Gjyqtar: Enea Jorgji
KV: Bardulla 40′, Selimaj 55′, Bicaj 88′
© shkodrasport.com