✍️ Shkruar nga Namik MEHMETI
Ka qenë një përballje e vështirë për skuadrën kryesuese të grupit D, Igea Virtus, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “D’Alkatrones Baroni” kundër Gebilsonit. Kushtet atmosferike, me shi të vazhdueshëm, krijuan një terren të rënduar dhe të papërshtatshëm për një lojë cilësore.
Skuadra vendase, Igea Virtus, u befasua dhe u trondit nga goli i pësuar që në minutën e 6-të, kur sulmuesi i skuadrës mike, Semerano, e gjeti mbrojtjen vendase të përgjumur duke realizuar një gol mjaft të bukur.
Trajneri Marra ndërhyri shpejt për ta nxjerrë skuadrën nga situata, dhe çelësi ishte aktivizimi në lojë i sulmuesit Longo, i cili i dha gjallëri repartit ofensiv, duke krijuar raste për barazim. Cinisello iu afrua golit, por ishte i pafat pasi goditja e tij u prit nga portieri i Gebilsonit, Samba.
Këmbëngulja e futbollistëve të Igea Virtus për të arritur barazimin – e ndoshta edhe fitoren – u bë evidente kur një kombinim i shkëlqyer mes Squillaqes dhe Calafiores u finalizua nga ky i fundit me një goditje të ulët që mposhti portierin Samba.
Pas pak minutash, mbrojtësi shtatlartë Mirashi, i aktivizuar në vend të Balsanos, realizoi një goditje të fortë me kokë, por portieri Samba i tha sërish “jo” golit.
Mirashi u bë protagonist në minutën e 25-të të pjesës së dytë me një tjetër goditje të fuqishme me kokë, por edhe këtë herë Samba reagoi mrekullisht. Dy tentativat e fundit, me Longon në minutën e 91-të dhe Tillin në të 95-tën, nuk arritën të ndryshojnë rezultatin.
Edhe pse humbi dy pikë të çmuara, Igea Virtus ruan vendin e parë me 22 pikë, e ndjekur nga Savion, që ka po aq pikë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”










