Elbasani i futet me “kokë” merkatos. Dalin në skenë emrat e parë që Nevil Dede ka në plane. Nuk bëhet fjalë për lojtarë dosido, por për emra me peshë në futbollin shqiptar.

Klubi kërkon ngjitjen në elitë dhe nuk ka në plan që të kursehet për të realizuar misionin madhor. Të parin e kanë bindur tashmë dhe ai është Gerhard Progni. Në listën e dëshirave janë edhe dy të tjerë, konkretisht Edon Hasani dhe Hektor Idrizaj.

PROGNI – Emri më i bujshëm është ai i Gerhard Prognit, i cili vitin e kaluar ishte pjesë e Llapit në futbollit kosovar. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se gjatë ditës së djeshme ka pasur një takim midis palëve që kanë rënë dakord për të bashkëpunuar këtë sezon. 36- vjeçari ka një karrierë të gjatë mbi supe. Ai ka luajtur me ekipet elitare të futbollit shqiptar pak vite më parë, teksa dy sezone me Skënderbeun arriti të fitojë edhe titullin kampion. Në Elbasan pritet që të ketë një rol lideri në fazën ofensive, pasi bëhet fjalë për sulmues që bën diferencën. Bisedimet me të thuajse janë mbyllur dhe zyrtarizimi është çështje orësh. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, anësori do të jetë afrimin i parë i rëndësishëm në merkaton e kësaj vere.

HASANI – Një tjetër goditje “big” që verdheblutë duan të bëjnë është Edon Hasani. Mesfushori, që dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Kastriotit, pëlqehet shumë nga Elbasani, edhe për shkak të eksperiencës jo të vogël në futbollin shqiptar. Për momentin bëhet fjalë për dëshirë, pasi gazeta mëson se palët nuk e kanë bërë ende takimin kokë më kokë midis tyre për të diskutuar edhe detajet për një marrëveshje. Hasani ka luajtur edhe në radhët e Tiranës, Vllaznisë apo Kukësit në futbollin shqiptar, duke rënë në sy për aftësitë e tij. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se deri në çfarë faze do të shkojnë bisedimet, pasi nuk është e lehtë që të thithësh lojtarë në Kategorinë e Parë, për më tepër të nivelit të Hasanit, i cili është ende në kulmin e karrierës.

IDRIZAJ – Një emër jo më pak i rëndësishëm ka dalë në skenë dje. Bëhet fjalë për Hektor Idrizajn, mbrojtësi që sezonin e fundit e zhvilloi mes Teutës në elitë dhe Skënderbeut të Kategorisë së Parë. Burime të gazetës pohojnë se palët kanë dhënë sinjalet e para në distancë nëpërmjet palëve të treta, për të parë mundësinë e bashkëpunimit. Për këtë arsye është lënë një takim këto ditë për t’u ulur konkretisht dhe vendosur pikat mbi “i”. Eksperienca e vlonjatit është një faktor plus që ka shtyrë drejtuesit elbasanas të mendojnë për shërbimet e tij.