Liverpooli nuk po gjen dritë në fund të tunelit. Pas dy humbjeve të rënda në Ligën Premier nga Man City dhe Nottingham Forest 3-0, skuadra e Arne Slot kërkoi rikthimin në rrugën e duhur në Ligën e Kampionëve, por në vend të ringritjes, PSV thelloi edhe më shumë krizën me fitoren 4:1 në “Anfield”.
Legjenda e klubit, Steven Gerrard, pas ndeshjes u shpreh se situata është e rëndë, por përdorimi i fjalës krizë sipas tij duhet peshuar me kujdes.
“Kriza është një fjalë shumë e fortë dhe mungesë respekti për disa lojtarë që lanë gjurmë në këtë klub dhe për trajnerin që bëri një punë të shkëlqyer deri tre muaj më parë. Megjithatë, nuk mund ta mohosh që skuadra po vuan shumë, është në një situatë të tmerrshme, besimi është në nivelin më të ulët dhe ata thjesht vazhdojnë të ‘rrjedhin gjak’. Nëse trajneri nuk gjen përgjigje dhe stabilitet në skuadër, kjo do të vazhdojë”, tha Gerrard.
Rezultatet flasin vetë: Liverpooli ka pësuar tre humbje radhazi dhe numëron nëntë disfata në 12 ndeshjet e fundit, formë që nuk është parë për 72 vite. Edhe pse Gerrard theksoi se nuk mund të fajësohet vetëm një individ për situatën, ai megjithatë veçoi paraqitjen e Milos Kerkezit si problematike.
“Nuk ka rëndësi nëse është Salah apo dikush tjetër, në këtë situatë nuk mund të të mposhtin në driblim. Kerkez për mua ishte jashtë pozicionit për pjesën më të madhe të ndeshjes. Është kriminale të jesh në atë anë të sulmuesit. Duhet të jesh nga brenda. Ai nuk i jep vetes asnjë shans. Ata pësojnë shumë gola, janë të hapur në tranzicion. Duken të prekshëm sapo topi bie në kontakt”, tha Gerrard.
Gjendja e skuadrës u reflektua edhe në atmosferën e stadiumit. Gerrard vuri në dukje se Anfield u zbrazë para kohe, diçka jo e zakonshme për tifozët e kuq.
“Vendet ishin bosh 10 minuta para fundit. Sapo u shënua goli i tretë, loja mbaroi”, tha legjenda angleze. /Telegrafi/















