Tek Vllaznia duket se ka entuziasëm në prag të nisjes së kampionatit. Gjërat duket se kanë marrë për mirë dhe ndryshimet në skuadër i ka ndier edhe kapiteni Gilman Lika, që këtë vit duhet të bëjë liderin në fushën e lojës. 32-vjeçari jep opinionin e tij për Vllazninë e re në një prononcim për “Supersport” kur thotë:

“Kanë ardhur shumë lojtarë dhe pothuajse është bërë një ekip i tërë. Presim të konsolidohet ekipi. Prej 20 ditësh kemi bërë stërvitje intensive. Erdhi kampionati dhe jemi gati”.

Në ditët e fundit atmosfera në Shkodër është ndezur, me tifozët që kanë qëndruar pranë skuadrës për t’i mbështetur ata.

“Si çdo shkodran e kam ndier shumë atë që ndodhi para dy ditësh. Në miqësore pamë që kishte shumë tifozë dhe Shkodra është e uritur pasi nuk e kishim vendin në Kategorinë e Parë. Në miqësore na mbështetën dhe Shkodra është gati për kampionatin”- thotë kapiteni kuqeblu.

Shkodra është cilësuar si djepi i futbollit shqiptar dhe një nga skuadrat me mbështetjen më të madhe të publikut. Ekipi që futbollit shqiptar i ka dhënë tonin, po bëhet gati për një tjetër sezon që pritet të jetë shumë i egër. Në lidhje me tifozët, flet edhe kapiteni Lika që thotë:

“Nuk kam qejf të jap mesazhe. Kush e do Vllazninë me zemër, nuk ka nevojë për fjalët tona. Jam i bindur që janë të uritur për ta mbështetur Vllazninë”.