Situata në kampin e Vllaznisë nuk është aspak e mirë. Dy humbjet rradhazi në kampionat me skuadrat që luftojnë për mbijetesë, 3-0 në transfertë me Egnatian dhe 1-2 në shtëpi me Kastriotin kanë sjellur zhgënjim të madh në opinionin sportiv shkodran. I pakënaqur me atë që po jep Vllaznia në këto javë është edhe ish-futbollisti kuqeblu, Gilman Lika, sot trajner me Akademinë Basania.

Lika mendon se te Vllaznia ka një problem që duhet ta zgjidhë, pasi ky moment që po kalon skuadra, është i pazakontë. Duke folur për “RTSH Shkodra”, ai bëri analizën e ndeshjes me Kastriotin dhe u ndal edhe te ecuria e kuqebluve, të cilët sipas tij duhet të korrigjojnë sa më shpejt shumë aspekte të lojës.

“E kam ndjekur ndeshjen me Kastriotin, por edhe të gjitha ndeshjet që ka luajtur Vllaznia. Është shumë e saktë që skuadra po kalon një moment aspak të mirë, për të mos e thënë atë fjalën “krizë”, sepse më duket pak e rëndë si fjalë. Megjithatë, gjithsesi, e vërteta është ajo që po e shikojmë të gjithë se Vllaznia po kalon një moment aspak të mirë. 

Humbja me Kastriotin mund të shmangej. Të them të drejtën, isha shumë optimist, kur shënuam golin e avantazhit dhe kisha bindjen se do të shënonim edhe 2 apo 3 gola të tjerë. Megjithatë, ndodhi e kundërta dhe më vjen keq për këtë gjë. Unë mendoj se ekipi ka shumë probleme për të dalë aty ku duhet.

Unë e kam deklaruar edhe para 3-4 javësh, ajo pjesa kryesore është se shikoj sikur nuk ekziston ajo dëshira e duhur, entuziasmi për të luajtur futboll dhe për të marrë fitoren. Ashtu si e kanë pasur më përpara, nuk është se po them diçka të re, por ashtu siç e kanë pasur edhe vitin e kaluar, e shikoj se mungon këto ndeshjet e fundit.

Disa, ndoshta nuk e përballojnë mirë ndërrimin e trajnerit Brdariç, por mendoj se ka qenë e ditur se ndërrimi i trajnerit Brdariç në këtë situatë është një “thikë me dy presa”. Megjithatë, tashmë ky është një fakt i kryer dhe nuk na mbetet gjë tjetër për të diskutuar, por t’i japim mbështetjen e duhur skuadrës për të dalë nga kjo situatë jo pozitive. Kuptohet se është një situatë e vështirë që po kalon skuadra dhe në tërësi klubi Vllaznia, prandaj është e nevojshme mbështetja ndaj skuadrës në këtë periudhë.

Si fillim primar ishte titulli kampion, por duke parë edhe ecurinë e skuadrës, ka edhe ndryshim objektivash. Ashtu, siç është Vllaznia në këtë situatë, mendoj se minimale është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Megjithatë, ekipi, e kam thënë edhe më herët, i ka mundësitë të luftojë për ta mbyllur me një trofe. Duke ditur se jemi në gjysëmfinalen e Kupës, mundësitë janë që ta arrijmë Europën përmes një trofeu.

Në këtë situatë që është Vllaznia, nuk duhet të shikojë shumë kundërshtarët. Jemi në një situatë shumë të vështirë dhe kemi nevojë të marrim fitoren kundra çdo ekipi për të rikthyer atë entuziasmin dhe situatën pozitive në ekip. Prandaj, them se ndeshja me Laçin do të jetë shumë delikate dhe kërkohet nga të gjithë një sforco maksimale për ta ndryshuar situatën dhe për të kthyer ambientin dhe gjendjen e mirë psikologjike, siç ka qenë edhe më përpara.

Prandaj, duhet pak më shumë angazhim në gjirin e skuadrës dhe të klubit, gjithsecili duhet të japë 120% për ta kaluar këtë situatë, sepse janë dy ndeshje shumë të shpejta, dhe mund të kthehet situata, nga një gjendje e vështirë, në një situatë pozitive brenda një jave.

Padiskutim që, nëse nuk arrijnë t’i kalojnë me sukses këto dy ndeshje, atëherë do të ishte një dështim total këtë vit, por shpresojmë që të mos ndodhë dhe dëshiroj të jem optimist duke menduar më të mirën.

Do të dal tek ajo fjalë që e thashë më përpara, që lojtarët në fushë duhet të japin diçka më tepër nga vetja e tyre për të kaluar këtë situatë. Pra, është një moment që kanë nevojë, jo për 100%, por të japin 120% nga vetja e tyre për ta kaluar këtë situatë.

Mos të rrinë duke dëgjuar shumë këto rrjetet sociale, dhe nëse e merr dikush këtë këshillë mendoj se është e vlefshme, pasi dihet që ambienti, jo në Shkodër, por gjithkund, kur nuk ke rezultate, është i vështirë dhe, qëndrimi i gjatë në këto rrjete sociale mendoj se ka një ndikim shumë të madh negativ tek çdo pjesëtar i KF Vllaznia.

Kështu, që duke e lënë mënjanë këtë pjesë, të përqëndrohen te puna për të marrë rezultatet pozitive”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Gilman Lika.

Maringlen ZHIVANI