Nuk janë pritur mirë nga Gilman Lika deklarimet e drejtuesve të Vllaznisë, që sipas këtyre të fundit, ata i kanë afruar lojtarit një shifër prej 65 mijë eurosh për një sezon. Futbollisti i Kombëtares ka qenë tepër i irrituar ditën e djeshme nga këto lloj deklaratash dhe ka reaguar menjëherë, duke i quajtur të pavërteta, madje ka arritur deri aty sa t’i quajë edhe prononcime të papërgjegjshme. “Nuk është e vërtetë që Vllaznia të më ketë ofruar mua 65 mijë euro për një sezon. Madje, po u deklaroj se në takimin që kam pasur me drejtuesit e kësaj skuadre nuk janë përmenduar fare shifra konkrete. Kuqeblutë nuk më kanë afruar kurrë një shifër të tillë. Pavarësisht se kush mund t’i ketë nxjerrë apo thënë një gjë të tillë, unë do t’i quaja deklarime të papërgjegjshme dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin në këtë rast.Të them të drejtën jam ndier keq, kur kam mësuar një fakt të tillë se në shtypin e shkruar edhe cituar një shifër e tillë financiare se gjoja Vllaznia ma ka afruar mua. E theksoj edhe një herë tjetër me forcë dhe me ndërgjegje të pastër se kuqeblutë, jo vetëm se nuk më kanë ofruar një shifër të tillë, por në takimin me drejtuesit e këtij klubi nuk është folur për shifra konkrete”, – ka thënë në fillim Gilman Lika.
Ai shpreson që publiku shkodran ta kuptojë se cila është e vërteta në këtë rast dhe se skuadra e tij e zemrës mbetet Vllaznia dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për çështje lekësh. “Përveç se nuk është thënë e vërteta në këtë rast, deklarime të tilla kanë disinformuar publikun, sportëdashësin e mrekullueshëm shkodran. Pra kanë keqinformuar një Shkodër të tërë dhe kjo nuk është e mirë.Vllaznia mbetet gjithnjë në zemrën time dhe asnjëherë para saj nuk vihen paratë. Në këtë rast, nëse do të zgjedh një skuadër tjetër, kjo nuk ka të bëjë me çështje financiare, por me arsye të tjera, që lidhen me profesionalizmin, apo synimet e mia në karrierë”,- ka mbyllur prononcimin e tij mesfushori i Kombëtares, Gilman Lika

Mejdan ZHIVANI