Nga Endri ÇINARI
Fjalë pak e punë shumë në fushën e lojës, me këtë fjali mund të përkufizohet mjaft mirë tek Vllaznia, Andre Jago. Mbrojtësi i linjës së majtë, për të cilin flitet pak në media, duke qenë edhe vetë një personazh që nuk kërkon vëmendjen e tyre, është një nga pikat më të forta të skuadrës së drejtuar nga Edi Martini. 27-vjeçari me të vërtetë ka spikatur në këto 18 javë të kampionatit, madje duke u konsideruar nga shumë kush edhe si mbrojtësi i majtë më i mirë i Superiores.
E këtë e vërtetojnë edhe statistikat e mëngjërashit deri në këto momente të edicionit. Ku ish-futbollisti i Makedonija GP ka zbritur në fushë si titullar në të gjitha javët, e duke kontribuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Duke shënuar 3 gola, që e bëjnë shënuesin më të mirë tek Vllaznia pas Balajt, me sulmuesin që ka 10 të tillë. E po ashtu Jago ka asistuar dy herë për gol në drejtim të shokëve të tij të skuadrës, në këtë mënyrë duke dhënë kontributin e tij në 21% të golave sezonalë të Vllaznisë deri në këtë pikë të edicionit.
Po ashtu një ndikim në rritjen e performancës së lojtarit karioka është edhe pozicioni i tij në fushën e lojës. Ku në skemën 3-5-2 që aplikon Martini, Jago gjendet më pranë portës dhe pjesë më aktive e fazës sulmuese.
E madje disa herë duke u përdorur edhe si mesfushor në rastet kur i është nevojitur skuadrës. Teksa mendohej që me ardhjen e Hakajt në ekip, Jago mund të shikohej si një alternativë, diçka e tillë nuk ka ndodhur aspak.
Ku performancat e brazilianit kanë qenë gjithmonë për t’u duartrokitur dhe pavarësisht se është një futbollist larg vëmendjes mediatike, ai ngelet një nga të besuarit e trajnerit Martini. Ky është sezoni i 3-të për Jagon në Shkodër dhe tek Vllaznia dhe më i miri në rradhët e kuqebluve, që tek numri “29-të” shohin një pikë të fortë të formacionit të tyre.


