Në studion e “Skaner” në MCN TV, ka pasur një debat mes presidentit të nderit të klubit të Kukësit, Safet Gjici dhe ish-futbollistit Andi Lila. Ky i fundit duke iu referuar faktit se Gjici është edhe kryetar i Bashkisë Kukës, i ka përmendur atij se nuk ka bërë investime fare për sportet e tjera përveç futbollit.
Gjici i është kthyer duke i thënë se këto akuza ndaj tij ishin politike, duke ironizuar Lilën me fjalët: “Je shumë i vogël për të bërë politikë”.
Momente nga debati mes Lilës dhe Gjicit:
Lila: Në Kukës nuk ka një ring për boks, apo tavolina për shahun. Nuk mund të flasim vetëm për futboll, por edhe për shumësportësh.
Gjici: Lila si përfaqësues i demokratëve të vijë dhe të shikojë këtu. Lila është shumë i vogël të flasë për sportin dhe futbollin në Kukës. Kemi nxjerrë shumë sportistë. Me kompleksin e ri që kemi bërë ne i kemi ardhur në ndihmë mundjes. Ne do të bëjmë një palestër shumë cilësore. Jemi përqendruar në investime të mëdha. Nuk kemi lënë pas dore as sportet e tjera.
Lila: Ju jeni kryetar i bashkisë dhe duhet t’i përmirësoni duke qenë se keni edhe pushtetin në krahun tuaj. Duro deri në pranverë dhe nuk do të jesh më ti. Kujdes do bëhesh meme, mos fol me mua kështu.
Gjici: Lila je shumë i vogël për t’u marrë me këto gjëra. Rritu pak! Ti po bën politikë më duket, je i vogël për të bërë politikë.