Kukësi arriti të mposht Dinamon në “Air Albania” 0-1. Sfida u vendos nga një gol i shënuar nga Basa në pjesën e parë dhe verilindorët barazojnë Tiranën në krye të Superligës. Pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, presidenti i Kukësit, Safet Gjici u shpreh i kënaqur për këtë fitore, ndërsa foli edhe për inagurimin e stadiumit të ri si dhe punën e bërë nga trajneri Longo.

Ndeshja e parë dhe fitorja e parë ndaj Dinamos? “Kënaqësi që Dinamo është pjesë e Superligës. Mendoj se se Dinamo ka një skuadër të mirë, ne kishim ardhur për të fituar dhe fituam. Sot kishim disa mungesa dhe kemi shumë punë përpara. Ju e keni parë që loja e Kukësit është shumë ndryshe, trajneri Longo ka futur një lojë ndryshe.

Nëse ecim kështu, t’i marrim ndeshje një e nga një, shikoj që skuadra ka rritje. Jemi shpejt për të folur nëse jemi për kampion, por jemi ndërtuar për kampion. Kampionati është i fortë, unë besoj se klubi i Kukësit do të menaxhoj pikët, Tirana është ekip i fortë dhe janë me meritë në vendin e parë”.

Inagurimi i Kukësit dhe çfarë note i vendosni trajnerit? “Nëse do të plotësohen ditët që fusha ka nevojë mund të luajmë ndaj Tiranës ndeshjen e parë. Tirana nuk ka shumë fat kur vjen në Kukës, dëshira jonë është që ndeshjen e parë ta luajmë ndaj tyre. Do parë se ditë ka nevojë fusha për të qenë gati, por parashikimet janë që sfida ndaj Tiranës të jetë e para.

Kur fiton trajneri meriton notën 10. Edhe ai ka disa pakënaqësi me disa lojtarë, por punë ka për t’u korigjuar. Trajneri bën punën dhe është profesionist e për këtë arsye punon çdo ditë me lojtarët. Kemi edhe stol dhe disa lojtarë nuk janë aktivizuar shumë”, u shpreh Gjici./newsport/