Pas fitores se djeshme 2-1 per kupe ndaj Skënderbeut, trajneri i Kukësit Ernest Gjoka u shpreh për ‘Supersport’ se skuadra e tij do të synojë të japë maksimumin edhe në ndeshjen e kthimit për të kaluar në finalen e Kupës. Ai foli edhe për rastin e famshëm me penalltinë që i ishte lënë Pejiçit pak kohë më parë në Europë, ndërkohë që Gjici kishte kërkuar t’i lihej Eminit duke thënë se do të ketë më shumë bashkëpunim këtë radhë.
“Kupa ka specifikën e saj dhe nuk duhej të bënim atë gabim por me rëndësi ka që fituam dhe e lëmë pas dy javësh por duhet të shtrëngohemi shumë. E kam thënë që ardhja në këtë skuadër ishte pozitive dhe skuadra më priti mirë. Duke pasur cilësi dhe eksperiencë në skuadër m’u përshtatën shpejt dhe e gjeta kohën te djemtë. U munduam ti qetësojmë dhe të ulim presionin dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë.
Mbrojtja? Shpresoj që të luftojmë me kohën dhe të bëhet ndonjë nga mbrojtësit dhe të na rikthehet Dzaria. Të shohim nëse Rama është ose jo për ndërhyrje pasi të tjerët e kanë mbyllur sezonin. Përderisa po luajmë dhe po fitojmë është normale të besojmë se shkojmë në finale.
Gjici e ka bërë Kukësin skuadër elitare duke i ndryshuar pamjen dhe nuk kursen. Është ndër më të suksesshmit dhe është si Abramoviçi apo si Gjici, ai është si Gjici pasi është vetvetja. Do mundohemi të bashkëpunojmë më ngushtë me Gjicin këtë radhë.
Et’hemi dhe Rroca? Të dy i falënderoj për atë që dhanë në fushë pasi nuk ishin në pozicionet e tyre por dhanë gjithçka”, tha Gjoka. /VipSport/