Vllaznia ka kryer seancën e fundit stërvitore në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”.
Edhe pse me merakun se duhet të ruhej tapeti, që të mos kishte probleme, duke qenë se aty do të luhet sot në orën 16:45 ndaj Partizanit, kuqeblutë zhvilluan një seancë të karakterit taktik.
Brdariç u përqendrua më tepër te vendosja e lojtarëve në fushë, teksa do të luajë njësoj si në takimin e javës së kaluar ndaj Teutës.
Tekniku Brdariç ka skicuar edhe formacionin, që do të hedhë në fushën e lojës ditën e sotme.
Nga sa mësohet, ai do të aktivizojë nga minuta e parë thuajse të njëjtin formacion si në përballjen ndaj Teutës, por me ndryshimin që në vend të Aralicës, në majë të sulmit pritet që të luajë Gjurgjeviç.
Të paktën deri dje kjo ka qenë edhe 11-shja që tekniku ka provuar. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë në momentet e fundit edhe ndonjë lëvizje.
Nga sa mësohet, formacioni anti-Partizani pritet që të jetë i tillë: Në portë do të jetë Zogoviç, në mbrojtje katërshja Gurishta, Dianje, Adili e Hakaj, në mesfushë treshja Krymi, Jonuzi e Da Silva, ndërsa në sulm përkrah Gjurgjeviçit pritet që të jetë dyshja Latifi-A.Hoxhaj.
Partizani zhvilloi paraditen e djeshme stërvitjen e fundit para ndeshjes me Vllazninë, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë Superiore.
Është një sfidë e rëndësishme, por lajm i mirë është se Daja ka në dispozicion të gjithë lojtarët kryesorë, që kanë qenë në fushë në pjesën më të madhe të kohës në javët e fundit.
Andrija Filipoviç, gjithashtu është kthyer me ekipin dhe është në gatishmëri për ndeshjen e nesërme.
Sulmuesi nga Kroacia, pësoi një tërheqje të gradës së parë, një ditë para ndeshjes me Teutën dhe gjatë gjithë kësaj kohe është dashur të qëndrojë jashtë. Së fundmi ai është bashkuar me ekipin dhe shton alternativat në sulm, një repart, ku Partizani vuan për rrotacion.
Të kuqtë pritet që të mos kenë shumë ndryshime në formacion për ndeshjen e nesërme. Në portë do të jetë Teqja, i cili duket se me aftësitë e tij ka arritur të bindë trajnerin dhe të fitojë vendin e titullarit, megjithëse Hoxha ende nuk është në gjendje të përballojë intensitetin e një ndeshjeje.
Në mbrojtje rikthehet Albion Marku, i cili është zgjedhje e parë për Dajën në krahun e majtë të difensivës. Mesfusha është reparti ku trajneri ka më shumë mundësi zgjedhjeje dhe Murataj është një lojtar, i cili bën mirë kur aktivizohet dhe mund ta nisë nga minuta e parë sot.
Pritet një formacion 4-3-1-2 nga tekniku i Partizanit, i cili siç u shpreh edhe dje ka arritur të krijojë edhe një 11-she stabël, që në dy ndeshjet e fundit ka rezultuar fituese.