Vetëm pak ditë pas për balljes së 17 janarit, kur Interi asfaltoi Juven, të dyja këto ekipe do të jenë përballë njëra-tjetrës sërish, këtë herë për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Nëse “Zonja e Vjetër” ka treguar se disfatën 2-0 në “San Siro” e ka lënë pas krahëve, aq sa në këtë muaj janar ata kanë ditur që t’u afrohen zikaltërve në kampionat nga -9 në -5 pikë, pa dyshim që një statistikë e tillë do të merret jo pak parasysh nga Antonio Konte, i cili do të kërkojë finalen e Kupës së Italisë dhe, pse jo, të sjellë një trofe që Interit i mungon prej 10 vitesh (në 2011-ën fitoi pikërisht Kupën).

Por, për ta bërë realitet këtë, “banda” milaneze duhet të thyejë një tabu historike, e cila thekson se në 4 precedentë që Interi dhe Juventusi janë përballur në gjysmëfinale, në fund ata që janë kualifikuar kanë qenë gjithmonë torinezët.

FC Inter vs Juventus FC

PRECEDENTËT – Ajo e “San Siro”-s, nesër në 20:45, do të jetë përballja e 226-të në histori, në të gjitha kompeticionet mes dy armiqve të përjetshëm. Statistikat janë në favor të bardhezinjve, që numërojnë 105 fitore, kundër 65 sukseseve zikaltër (barazimet janë 55). Edhe në Kupë, në total, derbi i Italisë është vënë 31 herë në skenë me Juven që kryeson sërish me 14 fitore, 7 barazime dhe 10 triumfe zikaltër.

TABU PËR T’U THYER – Por, duke u mbështetur vetëm te gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, a do të arrijë Antonio Konte që ta thyejë këtë tabu? Sigurisht që armët nuk i mungojnë, pavarësisht skualifikimeve të Lukakut e Hakimit në duelin e vajtjes, edhe pse historia flet ndryshe: hera e parë mes këtyre dy skuadrave ka qenë në 1938-ën, me Juven që fitonte 2-0 ndaj Interit, në sfidën gjysmëfinale me eliminim direkt dhe kalonte në finale.

Përplasja e dytë ndodh gjysmëshekulli më pas, por edhe në 1983-shin, në fund do të ketë sërish bardhezi: fitore 2-1 në Torino për Juven dhe barazim pa gola në “San Siro”. Ndërkohë, në dy herët e fundit kualifikimi është vendosur nga penalltitë: në 2004-ën të dyja sfidat përfundonin në barazim 2-2, por nga 11 metrat ishin më të saktë torinezët. Ndërsa në 2016-ën ishte spektakël absolut: Juvja fitonte në “Allianz Stadium” 3-0, por në kthim, Interi i drejtuar nga Roberto Mançini bënte çmendurinë duke fituar me të njëjtin rezultat. Pas kohëve shtesë situata nuk ndryshoi, por sërish nga lotaria e penalltive fiton Juventusi, i cili përfiton nga gabimi i Palasios.