Mungesa e Beqirit edhe në takimin me Kukësin duket se ka sjellë jo pak probleme për trajnerin Canaj, i cili edhe kësaj radhe nuk e ka të gatshëm kapitenin kuqeblu. Ndryshe nga takimi me Flamurtarin, duket se trajneri Canaj do të zgjedhë Gocajn në vend të Beqirit të dëmtuar. Ndaj vlonjatëve tekniku hodhi në fushë Seminën, një lojtar që njihet më tepër për lojën e tij në qendër të mbrojtjes dhe nga krahu i majtë, por ai u përshtat edhe në të djathtë. Rikthimi i Gocajt për këtë takim duket se e ka qetësuar në një farë mënyre trajnerin, që mund të besojë më shumë te vlerat e mesfushorit të djathtë.

Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do jetë ajo që është aktivizuar në takimin me Flamurtarin. Në portë do të jetë Vujadinoviç, në mbrojtje Gocaj, Kraja, Sykaj dhe Baci. Në mesin e fushës do të jenë Tafili, Belisha e Kruja. Pak para tyre në dy krahët, të përhershmit Hajdari e Shtubina, ndërsa para tyre do të jetë sulmuesi kroat Tomisllav Bushiç. Vllaznia ka disa javë që nuk njeh rezultate të mira. Që pas suksesit në transfertë me Partizanin, skuadra ka lëshuar shumë. Shpresohet që ndaj Kukësit ekipi të kthehet te fitorja.
ADMIR URUÇI