Frika më e madhe është konfirmuar për Real Madridin. Rodrygo Goes ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL) dhe këputje të meniskut lateral në gjurin e djathtë, duke i dhënë fund sezonit aktual dhe duke humbur pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës me Brazilin.
Sulmuesi brazilian iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë mëngjes, pas shqetësimeve që ndjeu gjatë ndeshjes kundër Getafes. Në raportin mjekësor të publikuar nga Real Madridi thuhet: “Pas testeve të kryera sot nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, Rodrygo është diagnostikuar me këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe këputje të meniskut lateral në gjurin e djathtë”.
Rodrygo u rikthye në fushë kundër Getafes pas gati një muaji mungesë për shkak të një dëmtimi në tendinë. Ai hyri në lojë në minutën e 54-të, por në fund të takimit u pa duke shtrënguar gjurin e djathtë, ku kishte filluar të ndiente dhimbje. Edhe pse arriti ta përfundonte ndeshjen, ekzaminimet e detajuara zbuluan dëmtimin e rëndë.
Situatë alarmante për sulmin e Realit
Me këtë dëmtim, Real Madridi mbetet me opsione shumë të kufizuara në repartin ofensiv. Aktualisht, Vinicius Jr dhe Gonzalo janë sulmuesit e vetëm në dispozicion për ndeshjen e radhës, pasi Mbappé është i lënduar dhe Mastantuono i pezulluar.
Sa zgjat rikuperimi?
Dëmtimi i ligamentit të kryqëzuar anterior konsiderohet ndër më seriozët në futbollin profesionist dhe pothuajse gjithmonë kërkon ndërhyrje kirurgjikale.
Procedura më e zakonshme është rindërtimi i ligamentit përmes artroskopisë, duke përdorur indin e vetë lojtarit.Sipas specialistëve, rikthimi në stërvitje mund të ndodhë pas disa muajsh, por rikthimi i plotë në gara zakonisht kërkon nga 9 deri në 12 muaj.
Minimumi mjekësor është rreth 6 muaj, por ekspertët rekomandojnë një periudhë më të gjatë për të shmangur rikthimin e dëmtimit. Carlo Ancelotti, duhet tani të mendojë për një sulmues anësor tjetër, edhe pse Rodrigo ishte i besuari i tij./Telegrafi/


