✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Pavarësisht vështirësisë së ndeshjes së rradhës kundër Partizanit, për Vllazninë ka vetëm një objektiv, fitore në kryeqytet dhe vijimi i shënimit të golave. Shkodranët pavarësisht se nuk kanë qenë aq të suksesshëm në ndeshjet si udhëtues, ku në 5 ndeshje të zhvilluara larg “Loro Boriçit” kanë grumbulluar vetëm 5 pikë, kanë arritur gjithsesi të shënojnë sistematikisht thuajse në gjitha takimet si udhëtuese. Kështu 9 herë kampionët e vendit kanë gjetur golin në barazimin 1-1 në Durrës kundër Teutës.
Gjithashtu edhe në humbjen e fazës së parë ndaj Dinamos, kuqeblutë sërish kanë “shijuar” një gol në disfatën 3-1 ndaj bluve në Elbasan. E ndërsa të vetmen fitore aktualisht jashtë fushe, ndaj Bylisit në shifrat 0-1, 9 herë kampionët e vendit tonë i janë “falur” një autogoli. Që vijoi traditën e golave në ndeshjet e këtij edicioni për skuadrën e drejtuar nga Martini. Po ashtu edhe në transfertën e fundit të kampionatit, atë kundër Egnatias në Rrogozhinë, Vllaznia shënoi dy herë në barazimin 2-2 ndaj kampionëve në fuqi të vendit.
E vetmja sfidë e këtij kampionati, që rezulton të jetë një transfertë ku Vllaznia nuk ka gjetur golin në 11 raunde është ajo kundër Flamurtarit. Me kuqeblutë që u mposhtën në Vlorë me rezultatin 1-0 në javën e 9-të të edicionit. Kjo është edhe ndeshja e vetme këtë edicion ku shkodranët janë ndalur, duke mos shënuar qoftë edhe një gol në portën kundërshtare, pavarësisht rezultatit përfundimtar. Por, pas sfidës me kuqezinjtë, në dy duelet e rradhës ndaj rivalëve si Egnatia dhe Dinamo, kuqeblutë kanë shënuar 3 herë duke grumbulluar edhe 4 pikë.
Kjo pas barazimit 2-2 në Rrogozhinë ndaj vendasve dhe fitores 1-0 ndaj Dinamos në Shkodër. E pikërisht nga ky ritëm i shënimit të golave dhe marrjes së rezultateve pozitive nuk duan të ndalen kuqeblutë. Të cilët kërkojnë të ruajnë kryesimin e kampionatit, duke qenë pretendentët kryesorë për fitimin e titullit dhe kjo arrihet me shënimin e golave dhe marrjen e fitoreve në çdo takim që skuadra zbret në fushën e lojës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







