Shqipëria U-21 mori një barazim në frymën e fundit ndaj Kosovës U-21, në “Elbasan Arena” dhe e mbylli në vendin e parafundit fushatën eleminatore të kampionatit europian.
Kuqezinjtë mbyllin në mënyrë të shëmtuar këtë edicion eleminator, teksa pas pesë humbjeve rradhazi, një gol i Ruçit në sekondat e fundit të shtesës, shmangu disfatën e gjashtë rradhazi. Vlen të theksohet se kuqezinjtë kanë shënuar vetëm dy gola në gjashtë ndeshjet e fundit.
Shpresat kuqezi zbresin në vendin e pestë pas dy edicionesh, duke shënuar një rënie, ndërsa bën mirë Kosova, që dy eleminatoret e fundit u rendit e pesta dhe këtë herë e mbyll fushatën eleminatore në vendin e katërt.
Sa i përket sfidës në “Elbasan Arena”, Kosova U-21 gjeti golin në pjesën e parë me anë të Krasniqit, ndërsa kuqezinjtë provuan të reagojnë, duke krijuar disa raste shënimi, por pa saktësinë e duhur në finalizim.
Mundësinë më të mirë e pati Marsel Ismailgeci në minutën e 86-të, pasi mori përsipër ekzekutimin e një penalltie të fituar nga Muçi, por gjuajtja e tij u kuptua nga portieri dardan Ndreca, që grushtoi sferën.
Megjithatë, kur dukej se kuqezinjtë do të rregjistronin humbjen e gjashtë rradhazi, nga një përpjekje e dëshpëruar e Ismailgecit në krahun e majtë, erdhi një top në zonë, ku Toçi e devijoi me thembër dhe Ruçi e shtyu në rrjetë, duke u dhënë barazimin kuqezinjve.
Përfundimisht, 1-1 me Ruçin që ndaloi serinë e humbjeve të Shqipërisë U-21, teksa kështu e mbyllim në vendin e parafundit. Kujtojmë se, në këtë ndeshje luajtën tre shkodranë si Kalaj, Mitaj dhe Kraja, ndërsa Bebeziqi nuk u aktivizua nga trajneri Alban Bushi për asnjë moment. /Maringlen ZHIVANI/
Shqipëria U-21-Kosova U-21 1-1
Golat: Ruçi 90’+5 / E. Krasniqi 32’
Shqipëria (4-3-3): Puja, Marku, Selmani, Kalaj (Cara 46’), Mitaj, Rrapaj (Toçi 38’), Çelhaka, Kraja, Karrica (Ruçi 87’), Ismailgeci, Muçi (në dispozicion: Weiper, Bebeziqi, Muhameti, Syla) Tr: Alban Bushi
Kosova (3-4-3): Ndreca, An. Hoti, Zumberi, Sadriu (Rexhaj 88’), Aliu, I. Krasniqi, Zyba, E. Krasniqi (Smakaj 56’), Zeqiri (Ibrahimi 87’), Zabërgja (Mehmeti 88’), Veliu (Tahiri 74’) (në dispozicion: Ar. Hoti, Thaçi, Berisha, Neziri) Tr: Albert Bunjaku
Gjyqtar: Barbu
Kartonë të verdhë: Muçi 10’, Kalaj 17’, Çelhaka 44’, Marku 60’ / Veliu 13’, E. Krasniqi 56’, I. Krasniqi 83’