Shkruar nga Endri ÇINARI
Kuqeblutë po konfirmojnë javë pas jave se pika më e fortë e saj është sulmi, një repart që ka bërë diferencën në Superiore. Me 32 gola të shënuar deri tani, kuqeblutë krenohen me ofensivën më të mirë në kampionat, duke e kthyer repartin e avancuar në armën kryesore drejt objektivave sezonalë. Statistikat flasin qartë për një skuadër që di të godasë dhe që e ka portën kundërshtare në shënjestër në çdo sfidë.
Ajo që bie në sy tek shkodranët është fakti se goli nuk ka një autor të vetëm. Në këtë skuadër shënojnë të gjithë, duke e bërë Vllazninë të paparashikueshme për çdo kundërshtar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një “bomber” që mban peshën e repartit, por për një mekanizëm kolektiv që funksionon në mënyrë perfekte.
I fundit që iu bashkua listës së golashënuesve ishte 20-vjeçari Kevin Dodaj, i cili realizoi në fitoren 2-1 ndaj Elbasanit. Ai u bë futbollisti i 11-të i kuqebluve që gjen rrjetën këtë sezon, një tregues i qartë i shpërndarjes së përgjegjësive dhe efikasitetit në fazën sulmuese.
Para Dodajt, peshën kryesore e mban Bekim Balaj me 12 gola, ndërsa Kallaku ka realizuar 5 herë. Jago dhe Mala kanë shënuar nga 3 gola secili, Kastrati ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës, ndërsa nga një gol në llogari kanë Bajrami, Gurishta, Bismark, Hakaj, Murataj dhe tashmë edhe Dodaj. Një panoramë që flet për një skuadër ku kontributi është i shpërndarë në çdo repart.
Në total, një “formacion i plotë” lojtarësh ka shënuar për 9 herë kampionët e vendit, duke e bërë Vllazninë jo vetëm skuadrën me sulmin më të mirë në Superiore, por edhe më kolektiven. Kur goli vjen nga kudo dhe nga kushdo, atëherë suksesi bëhet më i arritshëm dhe ambiciet për titull marrin formë reale.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


