Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vijon të tregojë forcë dhe alternativa në repartin ofensiv edhe në gjysmën e dytë të sezonit 2025–26, duke konfirmuar se golat nuk janë vetëm privilegj i sulmuesve. Kuqeblutë siguruan së fundmi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë falë fitores minimale 1–0 ndaj Pogradecit, në një ndeshje ku protagonisti i vetëm ishte mbrojtësi Elmando Gjini.
Goli i shënuar nga Gjini rezultoi vendimtar, pasi i dha ekipit shkodran biletën për fazën tjetër të Kupës. Për mbrojtësin kuqeblu ky ishte jo vetëm një gol kualifikues, por edhe realizimi i tij i parë zyrtar me fanellën e 9 herë kampionëve të Shqipërisë.
Ky moment vjen si shpërblim për paraqitjet shumë pozitive të Gjinit gjatë gjysmës së parë të sezonit, ku ai u vlerësua gjerësisht si afrimi më i goditur i merkatos së verës te Vllaznia. Siguria në prapavijë dhe kontributi konstant në lojë tashmë janë shoqëruar edhe me gol.
Realizimi i mbrojtësit është një tjetër dëshmi se te Vllaznia shënojnë të gjithë. Në kampionat, plot 10 futbollistë kanë gjetur të paktën një herë rrugën e rrjetës: Balaj, Bismark, Kastrati, Kallaku, Murataj, Jago, Gurishta, Bajrami, Hakaj dhe Mala.
Me golin ndaj Pogradecit, Elmando Gjini bëhet futbollisti i 11-të që shënon për Vllazninë në këtë edicion, duke përfshirë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Një statistikë që flet qartë për frymën kolektive dhe potencialin e gjerë të skuadrës shkodrane në sezonin aktual.
Goli kundër Pogradecit, Gjini bëhet lojtari i 11-të që gjen rrjetën tek Vllaznia


