Lojë e bukur, gola të shumtë të shënuar dhe pikë më shumë se të gjithë ekipet e tjera. Vllaznia e Brdariç ka filluar t’i bëjë për vete të gjithë të cilët tashmë e shohin këtë skuadër me një sy krejt tjetër.
Ajo kryeson me meritë renditjen pas shtatë javësh kampionat dhe sidomos pas fitores së fundit, asaj me rezultatin 3-0 në Kamëz ndaj Kastriotit, i ka forcuar pozitat në krye të saj.
Një nga gazetarët dhe komentatorët e njohur, Kosta Grillo, duke folur në emisionin “Sport Magazine” e ka konsideruar Vllazninë e këtij sezoni si bukurinë e kampionatit. Ja si është shprehur ai gjatë këtij emisioni:
“Vllaznia është bukuria e këtij kampionati, të paktën në këto 7 javë që ne po përjetojmë. Dhe jo se është në vendin e parë, por edhe për mënyrën si luan dhe si fiton. Ajo shkon ndaj Kastriotit dhe fiton bujshëm 0-3, pikërisht ndaj një Kastrioti shumë cinik, shumë të fuqishëm.
Fitorja e Vllaznisë ndaj këtij kundërshtari, në një fushë të vështirë, ishte një fitore madhështore dhe mendoj se shkodranët janë në rrugë të mbarë për të kapur objektivin që kanë. Për më tepër që kam mësuar se sponsori Xhaferi ka biseduar dhe po tenton të marrë edhe një sulmues si Bekim Balaj në merkaton e janarit”./SHKODRA-SPORT.COM/