Antuan Grizman ka ardhur në Shqipëri me mendime të qarta për të lenë shenjë në ndeshjen e fundit kualifikuese të Euro 2020 e për të përmirësuar imazhin e përfaqësueses së tij. Sulmuesi francez ka 7 ndeshje, plot 630 minuta lojë pa gjetur rrugën e rrjetës me përfaqësuesen dhe kjo është një statistikë e cila ka filluar të shqetësojë francezët para Europianit.

Por në një intervistë të dhënë sot për “Telefoot”, Grizman ka insistuar se nuk shqetësohet nga kjo statistikë e tij. “Unë jam një lojtar që mendon më shumë për skuadrën, kërkoj lëvizjet e të tjerëve. Nëse shënoj, aq më mirë, por ky nuk është objektivi im kryesor”, tha 28-vjeçari i cili ka luajtur 77 ndeshje me francezët.

“Nuk më shqetëson, por punoj për të rifituar besimin. Nuk kam asnjë problem. Më pëlqen të shënoj, por dua që të bëj më të mirën për ekipin” tha Grizman.

Ai e përsëriti se me Moldavinë ekipi ishte paraqitur shumë keq e ndaj Shqipërisë të gjithë kërkonin të jepnin një imazh tjetër. “Nuk ishim mirë, duhet ta pranojmë. Nuk ishim mirë në sulm, por morëm tre pikët, do të duhet që të bëjmë një ndeshje më të mirë ndaj Shqipërisë”, tha Grizman në intervistën e tij në ditën e ndeshjes ndaj kuqezinjve. /vipsport/