Kampionati shqiptar i futbollit në Superiore ka qëndruar pushim në këtë fundjavë. Kjo si pasojë e miqësores që do ketë kombëtarja shqiptare në miqësoren kundër Katarit. Kuqezinjtë si në miqësoren kundër Arabisë Saudite kanë vendosur që lojtarët e grumbulluar të jenë nga kampionati shqiptar.
Nga Vllaznia janë pjesë e ekipit të drejtuar nga Reja plot 3 futbollitstë. Erdenis Gurishta dhe Esin Hakaj në mbrojtje dhe Herald Marku në mesfushë. Kjo do iu shërbejë futbollistëve akoma më tepër si motivim duke parë edhe performancën e tyre në ndeshjen e Kukësit, ku ndër më të spikaturit ishin ata që kishin luajtur kundër Arabisë.
Patjetër që forma e mirë e treguar tek Vllaznia është shpërblyer edhe me ftesën e kombëtares. Pavarësisht se tek Vllaznia pritej edhe një ftesë për Esat Malen. Prizrenasi është ndër lojtarët më të spikatur në kampionat dhe po ashtu ishte në miqësoren e mëparshme. Ndërsa kësaj rradhe nuk është preferuar nga trajneri italian.
Kjo nuk ul aspak vlerat e Males që nga shumë kush cilësohet si një nga futbollistët më të mirë të Superiores. Tek kuqeblutë gjithashtu shpresojnë që lojtarët e grumbulluar për ndeshjen e 9 nëntorit të kthehen në formën maksimale për ndeshjen klasike kundër Tiranës në ditën e shtunë.
Endri ÇINARI