Pep Guardiola ka dhënë një intervistë për kanalin zyrtar të Mançester Sitit, ku iu vendos kapak të gjitha aludimeve që e lidhnin atë me Juventusin.
Gjatë intervistës Guardiola u shpreh se ndihet shumë i lumtur tek Mançester Siti: “Më e mira po vjen, unë jam i lumtur të shpërblej besimin që më kanë dhënë drejtuesit e klubit, por edhe tifozët.”
Pavarësisht se ai e ka mohuar gjithmonë një largim të mundshëm nga Siti, shumë zëra kanë qarkulluar se ai është afër Juventusit dhe po kërkon të jetë i lirë nga kontrata e tij. Por, gjatë intervistës, ai i ka dhënë fund çdo lajmi që e lidh atë me skuadrën bardhezi.
“Nuk ka vend më të mirë në botë për të bërë punën e menaxherit sesa Anglia. Unë kam qenë në Spanjë dhe Gjermani, mendoj se Italia është shumë e ngjashme me Spanjën, kështu që nuk ka vend më të mirë se Anglia. Në shumë vende, tifozët të kritikojnë nëse nuk fiton, por këtu, ata gjithmonë të mbështesin. Nëse unë kam një bluzë blu, unë jam një nga ju. Mbaj mend vitin e parë ishte e vështirë, pas humbjes në Ligën e Kampionëve me Monakon, në Premier Ligë nuk ishim mirë, por njerëzit ende na mbështesnin.
“Është vendi i përsosur për të punuar. Nuk mund ta harroj sezonin e parë kur ishim në vështirësi. Tani është e lehtë të jesh me mua dhe e di se si bëhet kjo punë. Kjo është arsyeja pse unë jam i lumtur të shpërblej besimin e tyre që kishin në mua dhe lojtarët e mi.” – shprehet Guardiola.