Pep Guardiola vazhdon të insistojë se Napoli ishte skuadra më e mirë italiane në këtë edicion në Ligën e Kampioneve, edhe pse ata që shkuan ët diskutojnë gjysmëfinalet e turneut ishin Interi dhe Milani. Pikërisht kuqezinjtë eliminuan napolitanët, por sipas Guardiolës, u ndihmuan thjeshtë nga pesha e historisë që kanë mbi supe.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes ndaj Bajern, Guardiola foli pikërisht për napolitanët dhe faktin që skuadra e Spaletit nuk ia doli që të arrinte gjysmëfinalet.

“Kur luan këtë kompeticion siç ka bërë Napoli, për mënyrën se si ka luajtur gjatë gjithë sezonit, në mënyrë me të vërtetë të shkëlqyer, dhe je aq shumë përpara në kampionat ndaj Milanit, njerëzit besojnë se në Champions është e njëjta gjë. Të luash kundër Milanit që ka kaq shumë histori, është njëlloj si të luash kundër Bajernit, nuk e di se sa trofe kanë fituar. Ata kanë pasur Sakin, Kapelon, Maldinin e Kostakurtën. Kjo është historia që bën pjesë në këtë kompeticion, për këtë arsye këto skuadra janë kaq të forta”, tha Guardiola i cili me fjalët e tij më tej mund të ketë bërë armiq të përbetuar tifozët e zjarrtë milanistë.

“Dje ishte e njëjta histori, 1-0 në Milano, 1-1 atje me një penallti që mund të jepej, janë diferenca kaq të vogla të cilat më pas bëjnë diferencën. Atëherë duhet të thuhet se Napoli është një skuadër e keqe pasi është jashtë Ligës së Kampioneve? Jo, pasi i kam parë dje dhe më mahnitën për mënyrën se si luajtën.

Jam i sigurt se vitin tjetër Napoli do të jetë përsëri në Ligën e Kampioneve, pasi do të fitojë kampionatin dhe do të provojë përsëri të ecë në këtë turne”, deklaroi Guardiola.