Lajmi se Partizani ka bere nje oferte zyrtare per futbollistin e Vllaznise Erdenis Gurishta, eshte tashme i konfirmuar zyrtarisht. Ka qene vete lojtari qe e ka pranuar nje gje te tille.
Gazeta “Panorama Sport” zbuloi dje ekskluzivisht nga burime pranë drejtuesve të Vllaznisë, se zyrtarisht në klub ka ardhur një ofertë nga Partizani për blerjen e kartonit, paçka se për Sherrin interesohet edhe Tirana. Vllaznia ka vënë një çmim për secilin lojtar, që me sa duket nuk plotësohet ende nga klubet që interesohen.
Gjithsesi, ajo që përbën lajm është se hapin e madh e ka hedhur Partizani, i cili fillimisht ka bërë një ofertë për mbrojtësin Gurishta, një nga më të mirët e Vllaznisë në sezonin e fundit.
Mësohet se administratori Suad Lici nuk ka pranuar të lëshojë lojtarin me shifrën që ka ofruar Partizanin, por gjithsesi palët kanë vazhduar bisedimet dhe gjasat janë që të arrihet një marrëveshje në “paketë”, pra, Gurishta dhe Sherri të transferohen të dy te “demat”. Nuk dihet shifra zyrtare që kërkon Vllaznia për të shitur kartonin e dy lojtarëve, por gjasat janë që në total të jetë 100 mijë euro.
MBROJTËSI E KONFIRMON
I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, mbrojtësi Erdenis Gurishta konfirmoi faktin se e kërkon Partizani, por gjithsesi ai theksoi se e ardhmja e tij është në dorën e klubit shkodran.
“Në dijeninë time ka ardhur një ofertë zyrtare në klub. Kam diskutuar me administratorin Lici, por ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët për shumën që do të afrohet për blerjen e kartonit. Shpresoj që një gjë e tillë të bëhet e mundur”, ka thënë Gurishta dje për gazetën. Paraqitja e mbrojtësit në këto sezonet e fundit me Vllazninë me sa duket ka bindur drejtuesit e kuq që ta afrojnë në skuadër, nisur edhe nga mosha e re e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për portierin Sherri.
Gurishta
Klubi kërkon që skuadra e interesuar të paguajë një dëmshpërblim më të lartë. Mësohet se në ndryshim nga Gurishta, me të cilin drejtuesit kanë diskutuar detaje të një marrëveshjeje të mundshme me Partizanin, ende nuk ka ndodhur diçka e tillë me Sherrin.
Ky i fundit është në pritje, por në të njëjtën kohë, është e qartë se shifra që kërkohet për portierin është më e lartë sesa për Gurishtën, pasi Sherri është vetëm 21 vjeç. Gjasat janë që brenda kësaj jave të ketë diçka konkrete për lojtarët.