Prej dy sezonesh në Superiore, Andi Hadroji është kthyer në “xhol” te Bylisi, duke bërë disa role në fushë. Ky është viti i tij i tretë me mallakastriotët, teksa është bashkuar me ta në janarin e 2019-ës.
Hadroji është i lumtur që luan rregullisht dhe madje gjen edhe rrugën e rrjetës. Mbrojtësi i krahut është optimist se skuadra ka mundësi që të ngjitet edhe më shumë në tabelë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 21- vjeçari i Bylisit flet edhe për synimet që ka këtë sezon.
Katër pikë në dy ndeshjet e fundit, është ky Bylisi i vërtetë?
Realisht kemi luajtur shumë mirë, madje edhe me Teutën duhet që të fitonim, por ndeshja shkoi ashtu si shkoi. Morëm tri pikë në Shkodër dhe tashmë e kemi mendjen te ndeshja me Kukësin në Ballsh.
Meqë përmendët Kukësin, kalendari ju rezervon një rival që ju ka mundur dy herë këtë sezon…
Do të futemi në fushë me vendosmëri dhe mobilizim maksimal, që ta fitojmë ndeshjen me çdo kusht. Të gjithë e kujtojmë si na ka mundur Kukësi në fazën e parë, ku asnjë nga golat e tyre nuk ishte i rregullt. Kështu që, këtë ndeshje, ashtu si edhe vjet, do t’i mundim. Bylisi ka kualitete dhe Kukësi do të ketë fatin e Vllaznisë.
Luani sa majtas dhe djathtas në mbrojtje e mesfushë. Ku e shikoni veten më mirë, në çfarë pozicioni?
Unë e kam bërë edhe sulmuesin në Ballsh. Këtë sezon kam shënuar dy gola, që s’janë shumë, por besoj se do të realizoj sërish. Si skuadër prodhojmë raste dhe bëjmë volum loje. E rëndësishme që të marrim tri pikët në ndeshjen e radhës, sepse golat nuk do të na mungojnë.
Si ka qenë ky sezon në aspektin personal?
Personalisht kam një vit shumë pozitiv, sepse jam aktivizuar rregullisht dhe u bëra edhe pjesë e Kombëtares U-21.
Po Bylisin si e shihni krahasuar me kampionatin e kaluar?
Kam besim se Bylisi do të jetë shumë më i fortë në këtë pjesë të fundit të garës. Afrimet e kanë shtuar cilësinë dhe rritur konkurrencën.