Ish-trajneri i Shqipërisë, Astrit Hafizi është shprehur se Vllaznia rrezikon seriozisht 3 vendet e para. Në analizën e tij në “Gol pas Goli”, Hafizi është shprehur se te skuadra shkodrane nuk ka lojtarë me cilësi të mirë, siç ndodh te rivalët e tjerë.

“Vllaznia e vërtetë u pa sot, që nuk kanë lojtarë cilësorë. Disa skuadra të tjera i kanë këto, ndërsa Vllaznia jo. Nëse në dy fazat e para kishin grupin e lojtarëve, këtë gjë nuk e kanë tani. Mendoj se këtë herë është prishur edhe mekanizmi i këtij grupi të përgatitja fizike.

Ka rënë përgatitja fizike, aktivizimi i shpeshtë i të njëjtëve lojtarë, bënte kenë mungesë fizike dhe të dalin në pah mangësitë teknike të lojtarëve. Një skuadër me lojtarë cilësorë duhet të jetë në gjendje të menaxhojë avantazhin e krijuar. Kanë qenë dy herë në avantazh dhe janë përmbysur. Kjo është Vllaznia e vërtetë. Janë në diskutim edhe e vendet e para. Shkodranët rrezikojnë shumë.

Faktori në kryesimin e Vllaznisë ka qenë ecuria jo e mirë e rivalëve. Te rivalët e tjerë, ekzistojnë lojtarë të nivelit të kënaqshëm. Këto klube i kanë mundësitë për të treguar veten herë pas here. Te Vlaznia nuk janë këta lojtarë, janë disa ndeshje që i fitojnë minimalisht.

Në fund sot pashë edhe trajnerin të futej në fushë dhe nuk e kuptova pse e bëri këtë. Mendova se po shkonte të përshëndeste arbitrat, sepse kishin vendime të drejta, gabimet ishin në mbrojtje, skuadra u shthur. Në Shkodër në 3 ndeshje mund të merrnin 3 pikët, por i humbën në fund.”, tha Hafizi në analizën e tij.