Ndihmës-trajneri i Kombëtares, Hamdi Salihi, analizoi në emisionin “Skaner” në MCN TV, barazimin e Shqipërisë ndaj Islandës. Salihi, zbuloi se para ndeshjes, mesfushori Kristijan Asllani, ka qenë i dëmtuar së bashku me Roshin, ndërsa për mungesën e golit, tha se nuk mund të futet stafi nga stoli dhe të mësojë lojtarët si të shënojnë. Gjithashtu ai u shpreh se ndaj Izraelit do të ketë ndryshime në formacion, por jo të skemës.

U munduam të përballemi duke imponuar lojën tonë, por disa herë e bëmë shumë mirë, sidomos te pjesa ku bëmë golin. Dolëm shumë herë nga krahët, por nuk shfrytëzuam asnjë krosim. Ka qenë ndeshja që kemi pasur më shumë krosime se në ndeshjet e tjera. Ndoshta ndikoi që është edhe fundi i sezonit dhe lodhja te disa lojtarë ndihet.

Roshi ka qenë gjithë javën, duke bërë terapi. Ka një problem, që e pengon për të luajtur. Ka bërë terapi, e ka provuar të jetë gati deri në fund, por nuk ia doli dot. Kur u kthyem këtu, doktori i tha që të mos e provojë më, pasi i duhet kohë për t’u rikuperuar.

Lista e pritjes, ka një funksion, që nëqoftëse lojtarët që ke grumbulluar, në ndeshjet e fundit dëmtohet para se të vijë, atëherë mund të marrim nga lista e pritjes. Ne i kishim marrë masat, që nëse nuk rikuperohej Roshi, kishim gati një tjetër lojtar.

Balliun e ndryshuam, sepse rrezikoi kartonin e kuq. Deri në fund luajtëm për ta fituar ndeshjen. Ne i nënvlerësojmë shumë ekipet dhe mendojmë se mund të shtypim me këmbë të gjithë kundërshtarët, por kjo është e gabuar. Vendi i parë është objektivi jonë. Nëse nuk e arrijmë, do të jetë një dështim.

Nga krahët funksionoi deri në fund. Nuk mund të mësojmë një lojtar ne nga stoli sesi të shënojë golin. Kemi pasur mundësi ta ndryshojmë skemën, por trajneri ka vazhduar me këtë skemë, që loja të jetë më mirë. Jemi munduar të rregullojmë lojën, pa prishur këtë që kemi ndërtuar.

Asllani ka qenë i dëmtuar për 3 ditë para ndeshjes me Islandën. Në këtë situatë, trajneri zgjedh një lojtar që është në maksimum. E mira është që të gjithë lojtarët mund të luajnë. Ndaj Izraelit do ketë lojtarë të tjerë në formacion, por pa ndryshuar skemën.