Hasan Lika rikthehet të flasë për kampi onatin shqiptar. Trajneri 61-vjeçar që jeton prej dy vitesh në Amerikë, e ka të pamundur për të mos u përshirë në aktualitetin e futbollit tonë. Ka drejtuar gjysmën e skuadrave të Superiores, ndërsa edhe tani që është larg vendit, ndjek me kureshtje të madhe çdo ndeshje.
I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Lika pranoi me kënaqësi të bënte një analizë të pjesës së parë të sezonit. Në intervistën ekskluzive për gazetën, ai nuk ngurroi të theksonte se Partizani është bërë i frikshëm dhe do të jetë rrezikues kryesor për Vllazninë deri në fund.
Lika mendon se titulli kampion do të vendoset në një përqindje të madhe pas pesë ndeshjeve të para të fazës së tretë. Ai është i befasuar nga ecuria e shkodranëve, por mundohet të tregojë edhe defektet e tyre. Trajneri që ka fituar Kupën e Shqipërisë me Teutën në vitin 2000, si dhe ka qenë ndihmës i Sulejman Starovës në titullin e Partizanit në sezonin 1992- 1993, i sheh vendimtare ndeshjet direkte mes rivalëve për kreun.
Sa e keni ndjekur kampionatin dhe çfarë ju ka bërë përshtypje në këtë pjesë të parë të sezonit?
E kam ndjekur rregullisht kampionatin. Kam parë ndeshje të forta, mbi të gjitha të ekuilibruara. Skuadrat janë paraqitur mirë në përgjithësi. Sigurisht, duke mos pasur tifozë në stadium, që është edhe pjesa më kryesore e futbollit, sërish skuadrat kanë dhënë maksimumin e tyre.
Cila ju ka befasuar për mirë dhe që ndoshta nuk e keni pritur përpara se të fillonte sezoni?
Natyrisht Vllaznia dhe ndryshimi i madh që ka pësuar si klub. Duke e krahasuar me sezonin e kaluar dhe lëvizjet që u bënë në strukturën e klubit, efekti ishte shumë pozitiv. Kjo është befasia më e bukur e kampionatit, pasi ekipet e tjera që në letër ishin pretendentë, bënë përforcimet me mënyra të ndryshme, ndërsa Vllaznia thuajse mori një ekip të tërë në merkaton e verës. Të bësh një ndryshim kaq të rrënjësor të skuadrës dhe të kesh këtë ecuri kaq të mirë është diçka e madhe.
E nënvlerësuan ekipet e tjera Vllazninë apo është meritë e shkodranëve që janë në këto pozita?
Duke parë ndeshjet që ka zhvilluar, unë mendoj se e ka merituar plotësisht vendin e parë deri më tani. Kam parë gjithmonë një skuadër të ekuilibruar, duke luajtur mirë dhe marrë rezultate pozitive si një rrjedhë logjike e asaj që ka dhënë në fushë. E thjeshtë, ka ditur të fitojë ndeshjet.
Partizani është ndjekësi më i afërt, me 6 pikë më pak. Si e keni parë sezonin e të kuqve?
Një sezon shumë pozitiv, duke pasur parasysh problematikën e merkatos në fillim. Ka treguar stabilitet dhe mbi të gjitha lojëra të mira. Në ndonjë ndeshje nuk ka pasur fatin me vete për të fituar, pasi tani mund të ishte edhe më afër Vllaznisë. Mendoj se Partizani është skuadra që mund të shkoj shumë më lart deri në fund të kampionatit.
Çfarë i ka ndryshuar trajneri Daja kësaj skuadre?
Ndryshimi është që Partizani me Dajën ka më shumë stabilitet në lojë. Është një skuadër që tregohet e kujdesshme, por në shumicën e rasteve kërkon të fitojë ndeshjet. Sigurisht që meritë kanë futbollistët, por mbi të gjitha trajneri. Daja ka ditur të marrë gradualisht atë që kërkon, ashtu siç ka bërë jo vetëm te Partizani, por edhe ekipet e tjera që ka drejtuar në të kaluarën. Meritë e padiskutueshme e tij.
Si e parashikoni tashmë luftën për kreun, prisni ndryshime në tabelë apo një Vllazni që nuk do ta lëshojë vendin e parë?
Me përforcimet që kanë marrë, shikoj që Partizani është skuadra më e fortë dhe më e përgatitur drejt synimit madhor. Pres që të bëhet më e fortë me ardhjen në formë të Ferhan Hasanit. Të jem i sinqertë, 6 pikë diferencë, duke ditur se do të luhen edhe 18 ndeshje, nuk janë as shumë, por as pak. Çdo gjë është e hapur, por në syrin tim, këto 4-5 ndeshjet e para të fazës së tretë do të jenë vendimtare. Nëse Vllaznia merr pikë maksimale në këtë fillim të kësaj faze, do të jetë e favorizuar për vazhdimësinë. Gjithsesi, skuadra që mund ta rrezikojë më shumë është Partizani. Nuk e them këtë se kam qenë unë trajner apo futbollist i të kuqve, por e shikoj më të fortë se të tjerët që pretendojnë kreun