Kampionati ka nisur mbarë për Vllaznia U21 që fare mirë sot mund të ishte në krye të renditjes me pikë të plota pas javës së tretë, megjithatë një gabim i vogël në javën e dytë ndaj Shënkollit, ka bërë që me 7 pikë të grumbulluara, të renditet në vendin e dytë.

Kuptohet që renditja edhe është, por edhe nuk është shumë e rëndësishme për trajnerin e këtij ekipi Fatjon Hasani që po mundohet t’u mësojë futbollistëve të tij të luajnë futbollin tradicional shkodran, futbollin e luajtur poshtë, teknik dhe ku shënojnë edhe mesfushorët, edhe mbrojtësit përveç sulmuesve.

Duke folur për “Shkodra Sport” trajneri i Vllaznia U21 do të shpjegonte edhe objektivat që ka me këtë ekip për sezonin e ri:

“Baza e ekipit janë lojtarët e sezonit të kaluar të datëlindjeve 1999 dhe 2000, ndërkohë që atyre u janë bashkuar edhe disa lojtarë të tjerë të rinj të ardhur nga ekipi U19 i Vllaznisë dhe të tjerë të ardhur nga ekipet e tjera.

Me këto elementë kemi punuar gjatë, nuk e kemi ndërprerë për asnjë moment stërvitjen. Kemi formuar një grup simpatik ku secili mundohet të japë kontributin e tij për skuadrën dhe deri tani gjërat po shkojnë mirë.

Kuptohet që objektivi kryesor është që këta lojtarë të mund të spikasin dhe të jenë në vëmendjen e drejtuesve të ekipit të parë dhe nëse do të dërgonim një ose dy prej tyre në fund të sezonit tek Vllaznia e madhe, do të ishte një arritje për ne sepse do të promovonim lojtarët tanë të ri por edhe do t’i kursenim klubit 30-40 mijë euro që ai do të shpenzonte për të blerë lojtarë të tjerë.

Përpos kësaj, kuptohet që kur futesh në fushë ke edhe dëshirë për të fituar dhe padyshim që do të tentojmë të jemi ndër ekipet më të mira të kampionatit dhe pse jo edhe të shpallemi kampion”./SHKODRA-SPORT.COM/